Problemi me numrat e dyfishtë të identitetit ka filluar që në vitin 1981 dhe pas zbulimit të tij, menjëherë ka filluar anulimi i këtyre numrave amë dhe kjo procedurë vijon për një periudhë të gjatë, me ç’rast shumë prej këtyre numrave amë janë shfuqizuar, njoftoi sot Ministria e Punëve të Brendshme.

“Njëherit, ky fenomen filloi në vitin 1981, kur në Republikën e Maqedonisë së Veriut u vendos përcaktimi elektronik dhe evidenca e numrave personal të identifikimit. Procedura për anulimin e numrave të identitetit ka vazhduar për një kohë të gjatë dhe po vazhdon, dhe shumë prej këtyre numrave të identitetit janë anuluar. Deklarata se në Republikën e Maqedonisë së Veriut ekzistojnë 20.000 numra të dyfishtë është e pabazë dhe e pa argumentuar, duke i pasur parasysh të dhënat me të cilat disponon MPB-ja”, informojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Nga atje shtojnë se Departamenti i çështjeve civile brenda fushëveprimit të kompetencave të tij ka një detyrim ligjor për të përcaktuar dhe anuluar numrin e regjistrimit të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut në përputhje me Ligjin për numrin amë (“Gazeta Zyrtare e RMV numër 137/2013 dhe 55/2016 “).

Nga Ministria theksojnë se përcaktimi dhe regjistrimi i numrit personal të identifikimit ka zgjatur nga 01.01.1981 deri më 31.12.1985.

“Në këtë periudhë kohore, janë bërë gabime në përcaktimin dhe vendosjen e numrave amë, që ka sjellë deri në përcaktimin e numrave të dyfishtë të identifikimit personal për të njëjtin person. Krahas kësaj, numra të dyfishtë amë janë përcaktuar edhe më vonë si rezultat i kontrolleve jo të plota nga punonjësit në shërbimet administrative, të dhënave të pasakta të marra nga Drejtoria për udhëheqjen e librave amë (DULA), si dhe lëshimet teknike të Sistemit ekzistues për përpunimin automatik të të dhënave”, theksuan nga MPB-ja.

Në mënyrë që të azhurnohen plotësisht dhe në kohë numrat amë, shtohet në komunikatë, Departamenti i çështjeve civile, Sektori për punë administrative mbikëqyrëse, Departamenti i shtetësisë, gjendjes civile dhe numrit amë u kyç në këtë proces në pjesën e përcaktimit të numrave të dyfishtë amë, përgatit lista me të dhënat dhe i dorëzon ato në Departamentin për punë administrative Shkup për procedurë të mëtejshme për kontrollimin e të dhënave personale dhe anulimin e tyre.