Në Klinikën Universitare të Nefrologjisë është realizuar rinovim i plotë i njësisë së kujdesit intensiv si dhe reparteve për dializë kronike dhe akute, reparti për transplantim të veshkave, si dhe departamenti për qasje vaskulare. Me këtë investim, cilësia e kujdesit shëndetësor është përmirësuar ndjeshëm, duke marrë parasysh se kjo klinikë është institucioni i vetëm në vend që trajton pacientët më të ndërlikuar me sëmundje të veshkave, kumtoi Ministria e Shëndetësisë (MSH).

Me rinovimin, siç theksohet, u zëvendësua plotësisht inventari mjekësor, si dhe inventari në dhomat ndihmëse për stafin mjekësor, si dhe u rinovua salla për qasje vaskulare për pacientët në një program kronik të hemodializës.

Përveç punëve ndërtimore, të cilat e ndryshuan plotësisht pamjen e klinikës u bë një zëvendësim i plotë i shtretërve spitalorë dhe pajisjeve ndihmëse jo-mjekësore. Përndryshe, në pjesën e pajisjeve mjekësore, është furnizuar pajisje e re EHO, pacient-monitor për monitorimin e parametrave jetik në njësinë e kujdesit intensiv, ndërsa është kryer zëvendësimi i instalimit dhe furnizimit të oksigjenit. Është furnizuar edhe një karrige moderne kirurgjikale dhe ndriçim gjë që përmirëson ndjeshëm kushtet si për pacientët ashtu edhe për ekipin profesional të nefrologëve, të cilët kryejnë procedura komplekse, siç janë fistulat arteriovenoze, kateterët të përhershëm dhe të përkohshëm për hemodializë dhe ngjashëm, theksojnë nga Ministria.

Në drejtim të përmirësimit të trajtimit të pacientëve me sëmundje të veshkave, janë furnizuar pajise moderne për metodat e vazhdueshme të hemodializës për trajtimin e pacientëve më të ndërlikuar me probleme të veshkave, të cilët kërkojnë kujdes intensiv nefrologjik. Është siguruar edhe një aparat për procedurat për pastrimin dhe zëvendësimin e plazmës tek pacientët me sëmundje sistemike të tilla si glomerulonefriti, lupus sistemik dhe pacientë të tjerë me sëmundje të kombinuara nefrologjike, reumatologjike, hematologjike, kardiake dhe pulmonare te të cilët ndërhyrja terapeutike është shpëtim i jetës.

Gjithashtu po bëhen përgatitje që ekipet e nefrologëve dhe infektologëve të kryejnë trajtim specifik te pacientët më të rëndë me infeksione Kovid-19, te të cilët është vendosur indikacion për trajtimin e të ashtuquajturës “stuhi e citokinës”, sipas protokolleve të pranuara botërore, qëndron në kumtesën e MSH-së.