Ministria e Shëndetësisë informon se udhëtari që sot me aeroplan ka arritur nga Gjermania dhe është testuar për coronavirus, ka rezultuar negativ. Ndërsa pacientët që kanë qenë afër tij në aeroplan dhe kanë qenë të izoluar në Aeroportin e Shkupit, janë lëshuar në shtëpi me rekomandimin që t’i zbatojnë masat, të cilat vlejnë për të gjithë udhëtarët që arrijnë në vend.

Nga MSH thonë se gjatë ditës së sotme, nga dy aeroplanë në Aeroportin e Shkupit nga vendet me rrezik në Maqedoni kanë arritur gjithsej 26 shtetas të huaj.

“Ndërkohë, pasdite janë testuar 8 pacientë në mesin e të cilëve edhe një motër medicinale me indikacione të sëmundjes në Klinikën për Sëmundje Infektive. Të gjitha testimet kanë dalë negative”.

“Katër pacientët nga Dibra që rezultuan pozitiv, akoma janë në Dibër në gjendje stabile dhe nesër do të sillen në Shkup dhe hospitalizohen në Klinikën për Sëmundje Infektive”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndryshe, numri i të infektuarve nga coronavirusi në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 13.