Analisti shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Albert Musliu, ka thënë se nuk beson se vizita e kryeminsitrit të Kosovës, Albin Kurti, në Çair e Tetovë të premten, ka për qëllim të favorizojë partitë opozitare shqiptare në këtë vend.

Musliu në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se Kurti nëse synon ta favorizojë dikë atëherë e bën publikisht, por në deklaratat që dha në Çair e Tetovë, Musliu thotë se nuk pa ndonjë favorizim.

“Popullariteti i kryeministrit Kurti edhe në Maqedoni është i madh, veçanërisht te më të rinjt të papërcaktuar politikisht. Ai është i vetëdijshëm për këtë, por nuk e përdori këtë vizitë për të mbajtur anë e për të favorizuar apo disfavorizuar dikë. Kurti është në vizitë semizyrtare, me thirrjen e kryetarit të Tetovës dhe kryetarit të Çairit, ndërsa normal se personat që janë renduar tash me opozitën shqiptare tentojnë të nxjerrin sa më tepër që munden”, tha Musliu.

Musliu ka thënë se nuk e di pse nuk pati një takim mes Kurtit dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, porse nuk beson se ka ndonjë acarim të marrëdhënieve mes tyre.

“Nëse do të ishte te favorizimet kryeministri Kurti sigurisht se do t’i artikulonte ato nëpërmjet fjalëve. E dëgjova intervistën e Kurtit, ato ishin deklarime që ishin relativisht neutrale, s’kishin të bëjnë me favorizime. Pas bashkimit të opozitës së partive politike shqiptare në Maqedoni, se a do të ketë përafrime me Vetëvendosjen e kryeministrin Kurti, atë do të shohim. Nuk hetova te intervistat e kryeministrit Kurti një gjë të tillë. Por, mendoj se opozita shqiptare ka tentuar ta nxjerrë maksimumin nga vizita e sotme e Kurtit në interesin e vetë politik”, ka thënë Musliu. “Definitivisht besoj se në ditët në vijim opozita shqiptare do të tentojë që në rrjete sociale ta prezantojë si mbështetje, pasi prej saj mund të përfitojë politikisht”.

Ndërkohë Musliu sa i përket marrëdhënieve të acaruara mes kryeminsitrit Kurti dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se nuk është pranuar kjo mirë nga asnjë shqiptar.