Komisioni Evropian shpalosi Strategjinë për Ballkanin Perëndimor, e cila përmban perspektivë të qartë për integrimin e këtij rajoni në Bashkimin Evropian. Me Strategjinë, vendet e rajonit obligohen të përmbushin reformat e nevojshme në sferën e sundimit të ligjit, zhvillimit social dhe ekonomik, sigurisë dhe migracionit, agjendën digjitale sidhe të mbyllin çështjet e hapura me fqinjët.
Ndërkohë që Strategjia përshkruan dobitë që vetë BE-ja do t’i ketë nga integrimi i rajonit dhe se çfarë investimesh do të bëjë në të ardhmen. Shefja e diplomacisë së BE-së, Federika Mogerini thekson se BE-ja do të ndajë të ardhme të përbashkët me Ballkanin Perëndimor, nëse vendet e Ballkanit Perëndimor i bëjnë reformat e nevojshme.

“Kjo Strategji jep një perspektivë të përbashkët, të qartë dhe konrekte për integrimin europian të secilit prej 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, mbi proceset të bazuara në meritë, që tashmë njihen shumë mirë. Kuptohet se nevoja për reforma është e qartë, në mënyrë që qytetarët mund të gëzojnë të njëjtat të drejta dhe standardin e njëjtë sikurse qytetarët e Bashkimit Evropian. Po shohim shumë reforma që po realizohen në rajon, me vendosshmëri që na tregon një të vërtetë të thjeshtë, se njerëzit dhe liderët e Ballkanit kanë bërë një zgjidhje të qartë për të sjellë vendet e tyre brenda BE-së, gjithsecili në fazën e vete, secili në kohën e vete. Por drejtimi është vendosur dhe sot ne u themi atyre se ne kemi bërë zgjedhjen e njëjtë dhe se perspektiva e tyre është shumë e qartë edhe për ne poashtu”, deklaroi Shefja e diplomacisë së BE-së, Federika Mogerini.

Kryeministri, Zoran Zaev theksoi se Strategjia vlerëson përparimin e vendit në rrugën drejt BE-së dhe fton të gjitha palët të angazhohen për reformat e nevojshme për anëtarësimin e vendit.

“Strategjia e publikuar për Ballkanin Perëndimor dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian theksohet se Republika e Maqedonisë ka bërë përparim të dukshëm në rrugën e saj evropiane. Për këto arsye, Komisioni Evropian ka shprehur gatishmëri të jep rekomandim për fillim të negociatave për anëtarësim, mbi bazë të plotësimit të kushteve. Sipas kësaj Strategjie, Republika e Maqedonisë lëviz në rrugën e vërtetë. Me nxitjen dhe motivin që vijnë me këtë vendim të rëndësishëm të Komisionit Evropian edhe një herë ftoj deputetët në Kuvend nga të gjitha partitë politike, Presidentin e vendit, opozitën dhe të gjitha institutet e sistemit që maksimalisht të angazhohemi në procesin e reformave”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Kreu i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker theksoi se nuk ka integrim në BE, pa i zgjidhur kontestet fqinjësore. Ndërsa tha se Serbia e Mali i Zi janë vendet që kanë shënuar progres të dukshëm dhe se ka mundësi që në vitin 2019 të bëhen pjesë e BE-së.
Maqedonia është drejtuar kah itenerari i duhur për antarësim sa më të shpejtë në NATO e BE duke filluar edhe zgjidhjen e problemeve me fqinjët, gjegjësisht nënshkrimi i marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, riemërtimi i Aeroportit “Leka i Madh” në “Aeroporti ndërkombëtar i Shkupit”, dhe gjitha këto përpjekje lënë hapsirë që Maqedonia së shpejti do të fillon edhe bisedimet për antarësim. Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë, ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Maqedonisë për riemërtimin e aeroportit të Shkupit dhe autostradën me të njëjtin emër që lidh dy vendet.

Analisti politik Dame Çkatroski për Zhurnal thotë se me antarësimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike, në vendin tonë do të mbizotëron stabiliteti politik dhe ekonomik.

“Antarësimi në NATO do të thotë stabiltet i Maqedonisë dhe perspektivë të qartë. Sidomos do të ketë edhe dobi ekonomike, do të vijnë më shumë investitorë të huaj dhe do të krijohen vende të reja të punës”, shprehet Çkatroski.

“Përshëndesim vendimin e sotëm (dje) të Qeverisë së ish-Jugosllavisë së Republikës së Maqedonisë ta riemërojë aeroportin në Shkup në ‘Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit’, si dhe autostradën që lidh Shkupin me kufirin grek në ‘Autostrada e Miqësisë’. Vendimi i sotëm është hap pozitiv për kthesë të asaj që është bërë në dekadën e kaluar dhe kishte prishur marrëdhëniet mes dy vendeve. Ky është një zhvillim i rëndësishëm në drejtim me menaxhimin me irredentizmin dhe shpresojmë se do të thotë hapje e një kapitullit të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe dy popujve”, njoftojnë nga MPJ-ja greke.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor në vitin 2018 do të marrin mbi një miliardë euro nga Bashkimi Evropian për përgatitjen për anëtarësim, theksohet në Deklaratën e Eurokomisionit me rastin e pranimit të Strategjisë për zgjerim të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor.

Nga viti 2007 deri në vitin 2017 BE-ja ka investuar mbi 8,9 miliardë euro në shtetet e këtij rajoni përmes ndihmës parainkuadruese. Në vitin 2018 priten edhe 1.08 miliardë euro, citohet në dokument. Strategjia e re e BE-së lidhur me shtetet ballkanike u prezantua para dy ditëve në Strasburg.