Rritja e akcizës për naftën që hyri në fuqi prej 1 janarit të këtij viti, si duket po jep efektet e para negative në punën e disa sektorëve në biznesin privat. Ditë më parë pas rritjes së akcizës së naftës dhe rritjes së vazhdueshme të çmimit të diselit në Maqedoni, Shoqata e Ndërtuesve në Maqedoni u ankuan se çmimi lartë i karburanteve atyre po ju shkakton dëme në mbarëvajtjen e punës së firmave ndërtuese, shkruan gazeta KOHA.

Nga shoqata e ndërtuesve dhe kompanitë transportuese ankohen se tani më kanë filluar t’i ndjejnë pasojat negative nga rritja e çmimit të naftës nga fillimi i këtij viti.

“Për një pjesë të punëtorëve disa kompani ndërtimi dhe transportuese kanë filluar të ndryshojnë kontrata e punës me punëtorët. Rritja e akcizës dhe çmimit të naftës po e ngulfat punën në sektorin e ndërtimtarisë. Ende nuk kanë filluar me largimin e punëtorëve mirëpo nëse vazhdon të rritet çmimi i naftës kemi frikë se për të zvogëluar shpenzimet firmat ndërtuese mund të marrin vendime për largimin e një sasi të konsiderueshme të punëtorëve”, thonë nga Sindikata e Pavarur e Ndërtuesve. Pasojat negative nga rritja e akcizës sipas sindikatës së pavarur të ndërtimtarisë megjithatë dolën në sipërfaqe që në muajin e parë të këtij viti meqë brenda një muaji çmimi i diselit katër herë pësoi ndryshime.

SHPENZIME PLOTËSUESE NGA RRIJA E ÇMIMIT TË NAFTËS
“Si pasojë e rritjes së shpenzimeve shumë firma ndërtuese kanë frikë se do të shënojnë rezultate të mira të fitimeve dhe se nëse ky sektor nuk shënon rezultate pozitive si pasojë e shpenzimeve plotësuese nga rrija e çmimit të naftës, mund të merren vendime që të largojnë nga puna punëtorë edhe përkundër faktit se pikërisht sektori i ndërtimtarisë ka numër të vogël të punësuarve për shkak të mungesës të krahut të punës në tregun e Maqedonisë”, thonë nga kjo Sindikatë. Pikërisht vitin e kaluar shumë kompani ndërtuese kanë pasur fitime të ulta dhe se në raportin vjetor financiar disa nga kompanitë ndërtuese kanë paraqitur humbje.

“Alarmante ishin rezultatet e kompanive më të mëdha në vend si Beton, Granit dhe kompanisë ndërtuese Beton nga Shtipi. Të hyrat e kompanisë Beton nga Shtipi për vitin 2017 ishin përgjysmuar. Edhe fitimet e kompanisë ndërtuese Beton nga Shkupi vitin e kaluar ishin më të ulta për 80 për qind”, thonë nga Sindikata e pavarur e ndërtuesve.
Edhe sindikata e pavarur e transportuesve gjithashtu ankohet se trendi i fundit i rritjes së çmimit të naftës për , që rezultoi me rritjen e akcizës për këtë produkt për 3 denarë nga janari i këtij viti, shumë pak lenë hapësirë për të realizuar fitime edhe këtë vit kalendarik.
“Aspak nuk po realizohen paralajmërimet e Qeverisë se në vitin 2018 do të ketë prioritet tët ndihmon sektorin privat. Nëse edhe në të ardhmen vazhdon trendi i rritjes së çmimit të naftës atëherë ekziston mundësia që edhe nga sektor të fillojnë të mendojnë me largimin e punëtorëve nga puna”, thotë nga Sindikata e Pavarur e Transportuesve.
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Punëdhënësve në Maqedoni Angel Dimitrov thotë se për fat të keq po realizohen parashikimet “e zeza” të një pjese të ekonomistëve edhe të biznesmenëve të vendit se rritja e akcizës së naftës jo vetëm që do të përkeqëson punën në sektorin ndërtues dhe transportues por në mënyrë të njëjtë do të ndikon edhe në lëvizjen e çmimeve edhe në sektorë tjerë.

VIT I HUMBUR

“Sektori i ndërtimtarisë e cila 5 vitet e fundit po luftonte më krizën politike dhe ekonomike tani nuk po arrin t’i bëjë ballë presionit të lartë të rritjes së akcizës së naftës. Ende pa kaluar muaji i parë i këtij viti si pasojë e rritjes së akcizës së naftës sektori i ndërtimtarisë i cili ka mungesë të punëtorëve të kualifikuar ka filluar t’i ndjenë pasojat negative. Është herët që kompanitë ndërtuese të mendojnë të largojnë punëtorë nga puna. Në fillim ata do të kenë më pak fitime që do t’i dekurajojë kompanitë ndërtuese të mos marrin vendime për rritjen e rrogave të punëtorëve . Nëse edhe në të ardhmen do të këtë rritje të çmimit të naftës atëherë edhe ky vit për sektorin e bizneseve private në Maqedoni do të jetë vit i humbur”, thotë Angel Dimitrov, kryetar i Shoqatës ë Punëdhënësve në Maqedoni.