Në Lisiçe janë regjistruar 629, Qendër 195, Karposh 231, Rektorat 282, Gazi Babë 113, Kumanovë 350, Tetovë 280, Kavadar 239 dhe në Manastir 413 mikrogram në metër kub. Secili qytetar në mënyrën e vet kërkon mbrojtjen nga ajri i ndotur.

“Mundohemi të vendosim më shumë maska ose shall për ta mbrojtur veten, por është shumë e vështirë. Po kollitemi shumë, na djegin sytë dhe na rrjedh sekrecion nga hunda”,- theksoi një qytetar.

“Kur shohim se ka shumë ndotje, nuk dalim jashtë, qëndrojmë në shtëpi. Megjithatë, qofshim ne brenda ose jashtë, ndotja e madhe ndikon tepër keq tek personat e sëmurë nga astma dhe një person të tillë unë e kam në shtëpi”,- u shpreh një qytetar.

Përveç të moshuarve, në shënjestër janë edhe fëmijët e vegjël, fëmijët me infeksione tek organet e larta respiratore, pacientët kronikë dhe ata me sëmundje kardiovaskulare. Fluksi i shtuar i fëmijëve të sëmurë ditëve të fundit vërehet në Klinikën e fëmijëve në Kozle.

“Ka disa ditë që fëmija nuk ndjehet mirë, e solla këtu dhe mjekët më thanë se ka ndezje të organeve të larta respiratore”,- u shpreh një prind.

“Fëmijën e kam me bronkit dhe në spital qëndron disa ditë”,- tha një prind.

Në këtë klinikë për çdo natë ndihmë mjekësore kanë kërkuar mbi 100 fëmijë. Një pjesë e tyre janë ndalur për mjekim spitalor. Autoritet e kësaj klinike thonë se pneumonia, bronkiti dhe kollitjet e shpeshtuara të shoqëruara me kollitje, temperaturë, infeksione dhe ndezje të organeve të larta respiratore janë komplikimet më të theksuara të cilat diagnostikohen nga mjekët.

“Për momentin janë hospitalizuar gjithsej 90 fëmijë dhe 60 nëna. Spitali në Kozle ka kapacitete të mjaftueshme për të pranuar edhe pacientë të tjerë. Të gjithë fëmijët e pranuar tani janë normalizuar, e marrin terapinë e nevojshme dhe janë nën mbikëqyrjen mjekësore, ndërsa ne si mjekë përpiqemi që sa më parë ata t’i rikuperojmë dhe t’i transferojmë në spitalin ditor ose në mjekim shtëpiak”,- deklaroi drejtori i Klinikës së Fëmijëve në Kozle, Angelço Andonovski.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Ekologjisë thonë se nëse vazhdon kjo situatë edhe gjatë dy ditëve të ardhshme, do të fillohet me zbatimin e masave kundër ndotjes së ajrit.

“Nëse vazhdon prania e madhe e grimcave PM10 edhe gjatë dy ditëve të ardhshme, atëherë në përputhshmëri të rregullores për shpalljen e gjendjes alarmante, Ministria e Ekologjisë do të shpall gjendje alarmante në ato qytete ku është regjistruar ndotje enorme e ajrit”,- u shpreh zëdhënësja e Ministrisë së Ekologjisë, Besa Tateshi.

Përfaqësuesit e Inspektoratit për Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor kanë paralajmëruar se edhe nesër do të prezantohen kontrollet e realizuara ndaj ndotësve të ajrit.