Në BE të gjithë e kanë të qartë se këtë vit Maqedonia e Veriut duhet të fillojë negociatat para-aderuese, duhet të ketë vendim, ndërsa kur do të merret ky vendim varet nga një gërshetim rrethanash – në njërën anë është vazhdimi i zbatimit të reformave të brendshme, në anën tjetër janë ngjarjet në vetë Bashkimin Evropian, në shtetet anëtare e së cilës kanë filluar fushatat për zgjedhjet për Parlamentin Evropian, njofton Nova Tv.

Burime qeveritare, sot në brifing, duke iu referuar samitit joformal për Ballkanin Perëndimor, i cili nën udhëheqjen e Angela Merkel dhe Emanuel Makrob u mbajt në Berlin, shprehin optimizëm se vendi do të merr dritë të gjelbër për fillim të negociatave në qershor.

Përveç reformave dhe zhvillimeve në vetë BE-në, për momentin me rëndësi thelbësore është përfundimi i suksesshëm i raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale. Vendimi për fillim të negociatave do të varet nga vendimi i çdo qytetari për të dalë në qendrën e votimit, për shkak se raundi i pasuksesshëm i dytë do të ishte mesazh i keq për shtetet anëtare për pjekurinë demokratike të vendit, thonë nga Qeveria, duke shtuar se këtu e rëndësishme është përgjegjësia personale e secilit qytetar.

Vende të ndryshme anëtare kanë fokus të ndryshëm – ka vende të cilat më shumë fokusohen në reformat, ka vende të cilat më shumë fokusohen në situatën gjeopolitike, megjithatë, nga Qeveria thonë, aktualisht në vigjilje të zgjedhjeve evropiane dhe para se të shohin raportin, vendet-anëtare shmangin dhënien e ndonjë qëndrimi të qartë.

Ky është rasti me Francën. Derisa nuk kalojnë zgjedhjet evropiane, Paris nuk do të jep qëndrim të qartë sa i përket fillimit të negociatave për vendin.

Delegacioni i Maqedonisë në takimin në Berlin ishte i ftuar për të paraqitur historinë e suksesit të Marrëveshjes së Prespës. Pas interpretimeve të ndryshme të mesazheve nga Makron dhe Merkel, në brifing u theksua se çështjet e brendshme të Maqedonisë nuk kanë qenë fare temë e diskutimit në takim, por që vendi u ftua të shërbejë si një shembull për dialogun e ngecur mes Beogradit dhe Prishtinës.

Megjithatë, Qeveria është optimiste se vendi në maj do të ketë raportin më pozitiv deri më tani, që do të hapë rrugën për të marrë vendim për fillim të negociatave në qershor pavarësisht se afatet janë të shkurta, pritet mbështetje për aspiratat evropiane nga shtetet anëtare si dhe qëndrim i qartë i Francës për të ardhmen tonë evropiane për strategjinë e Ballkanit Perëndimor që u publikua.

“Nëse BE nuk i përgjigjet pozitivisht të gjitha hapave që i ka ndërmarrë vendi, atëherë kjo mund të shkaktojë efekt de motivues mbi vendet tjera, të cilat nuk do të fillonin zgjidhjen e kontesteve të ndërsjella, sepse do të mendonin që ato nuk do të vlerësohen nga Bashkimi Evropian”, thonë burime nga Qeveria.