Në Gjykatën Penale të Shkupit sot duhet të mbahet seanca për rastin “Trust”, në të cilën i dyshuari i parë është biznesmeni Seat Koçan si edhe dy persona të tjerë fizik dhe tre juridik, në mesin e të cilëve drejtuesit e kompanive “Transmet” , “Sileks” dhe “Vato” SHPKNJP nga Studeniçani për pjesëmarrje në një tender të Elektranave të Maqedonisë.

Paraprakisht seanca gjyqësore më 7 nëntor u shty, sepse avokatët e mbrojtjes nuk e kanë marrë listën me dëshmi që i ka propozuar Prokuroria Speciale Publike.

Prokurori i Prokurorisë Speciale Publike, Gavrillo Bubevski në seancën e kaluar tha se ata deri te Gjykata i kanë dorëzuar dëshmitë në numër të mjaftueshëm ekzemplarësh dhe se sipas procedurës Gjykata është e obliguar t’ia dorëzojë mbrojtjes listat me dëshmi krahas aktakuzave.

Sipas aktakuzës, të dyshuarit me dokumente të falsifikuara kanë kurdisur tenderë në ELEM në vlerë prej 17-të milionë euro.

Lënda siç publikoi PSP-ja, është formuar në bazë të tre bisedave të përgjuara, prej të cilave dy të papublikuara në opinion prej 3.9.2011 dhe 6.10.2011.