Lënda toksike që e rrezikonte Shkupin për vite të tëra, duket se po i vjen fundi. Në korrik do të fillojë pastrimi i lindanit, njëra prej 4 deponive në hapësirën e ish-kompanisë Ohis. Procesi i pastrimit pritet të përfundojë për 12 muaj , tha ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini.

“Ministria e ka dorëzuar planin dhe Qeveria e ka miratuar dhe presim të fillojmë realizimin e atij plani në muajin korrik. Ndërkohë ne do të angazhohemi që të informojmë qytetarët që jetojnë në atë zonë që të ndërmarrin të gjitha masat para se të fillojë procesi i pastrimit”, u shpreh ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini.

Tani më me ndihmën e Ambasadës së Norvegjisë, janë siguruar edhe aparatura për të detektuar praninë e lindanit, përveç se në deponi edhe në ajër. Ndërkohë zëvendës ambasadori i Norvegjisë Geir Johansen tha se për 3 vite kanë punuar për të detektuar këtë problem.

“Qeveria jonë ka ndarë 1.5 milion euro, ndërsa Qeveria e Maqedonisë kë ndarë edhe 1 milion euro të tjera për sanimin e tokës së ndotur me lindan në ish fabrikën “Ohis”, u shpreh Geir Johansen – zëvendës ambasador i Mbretërisë së Norvegjisë.

Profesoresha Marina Stefova pran Instituti për Kimi shpjegoi se çka do të monitorohet me mjetet e donuara nga Norvegjia.

“Lindanin dhe izomerët e tij sepse në Ohis është deponuar lindan, por më shumë izomeret dhe në fakt ne do t’i ndjekim të gjitha këto edhe në tokë dhe në ajër. Ideja është që të zgjerohemi dhe të monitorojmë edhe ndotësit e tjerë dhe veç më kemi filluar hulumtimet”, u shpre Marina Stefova – profesoreshë.

Ndërkohë sa i takon pastrimit të deponisë së madhe me lindan, ministri Nuredini tha se kjo do të ndodhë hap pas hapi. Mbi 13.000 tonelata lindan i rrezikshëm gjendet në deponinë e vogël në OHIS dhe katër herë më tepër (mbi 50.000 tonelata) në deponinë e madhe. Nuk dihet edhe sa mijë tonelata kimikate kancerogjene ka në dy deponitë tjera, njëra në oborrin e fabrikës së mëhershme, ndërsa tjetra jashtë saj, në lokalitetin Pelenicë afër Draçevës. Insekticidi i rrezikshëm tani më pesë vite është një nga lokacionet më të nxehta ekologjike që vazhdimisht i kërcënohet Shkupit.