Në Maqedoninë e Veriut sot u shënua Dita e Republikës e cila mblodhi në një vend krerët e shtetit. Por për herë të parë në historinë e kësaj kremte, u dëgjua edhe kënga shqipe.

Si asnjëherë më parë kënga shqipe u dëgjua në shënimin e kremtes së Maqedonisë së Veriut. Vendi sot kremtoi ditën e Republikës.

Në manifestimin që u mbajt në Qendrën përkujtimore në Krushevë, Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski deklaroi se, “koncepti i Evropës së bashkuar jep mundësinë më të mirë për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut.

” Koncepti i Evropës së bashkuar na jep mundësinë më të mirë për të përfunduar zhvillimin e Maqedonisë si një republikë moderne evropiane. Këto përpjekje janë sakrifica e brezit tonë për rininë dhe të ardhmen e tyre”, tha Pendarovski.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në fjalën e tij , tha se Maqedonia e veriut është shtëpi e përbashkëte të gjithëve.

“Kemi një shtet të përbashkët dhe të gjithë kemi përgjegjësi ta ruajmë dhe zhvillojmë, për ne dhe për gjeneratat e ardhshme, të cilat meritojnë të jetojnë, të rriten të arsimohen në Maqedoninë e Veriut, si shtet bashkëkohor dhe prosperues i qytetarëve evropianë”, tha Xhaferi.

Ndërsa, kryeministri maqedonas ,Dimitar Kovaçevski theksoi se, është detyrë e përbashkët që të bashkohemi, pavarësisht përkatësive politike, duke i vënë prioritetet shtetërore përpara.