Kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka sulmuar ashpër Albin Kurtin në mediat kosovare, në prag të zgjedhjeve parlamentare të shpallura për më 7 qershor në Kosovë.
Në Debat Plus, Ahmeti fajësoi Albin Kurtin për “delegjitimimin e shqiptarëve” dhe se sipas tij, ka ndikuar për degradimin e gjuhës shqipe.
Ahmeti u shpreh se kjo ka ndikuar negativisht në të drejtat dhe përfaqësimin e shqiptarëve, duke theksuar se “gjuha po kontestohet dhe nuk përdoret më si më parë në institucione”.
“Që ne na delegjitimoi dhe që u dha argument Kristian Mickoskit dhe fuqi politike, që kryeministri po i mbështesë ata forca politike. Kryeministri i Kosovës po del dhe thotë se gjuha shqipe kurrë s’ka qenë zyrtare. Dhe javë të tëra antishqiptarët më të mëdhenj, e vendosnin në ekran kryeministrin e Kosovës, që mua më gërryente në shpirt, ja kryeministri i Kosovës thotë që gjuha shqipe s’ka qenë zyrtare dhe nuk është.
Ishte kryeministri i Kosovës që shqiptarëve këtu ua hoqi të drejtën legjitime, legjitimitetin… kjo me ka brengosur nga kryeministrit. Sepse i tërë devalvimi i situatës këtu, asnjë hap prapa nuk ka shkuar. Që dy vjet këtu nga një hap shkohet. Kontestohet gjuha, dhe nuk përdoret më, siç është përdorur nëpër institucione. Përfaqësimi i drejtë është heq”, ka thënë Ahmeti.

