Komuna e Çairit përforcon mekanizmat mbrojtëse nga virusi Covid 19 në shkollat е saj fillore! Vendosen paravanë mbrojtës për nxënësit që ndjekin mësimin me prezencë fizike!

Bashkë me ministren e arsimit dhe shkencës znj. Mila Carovska nga ambientet e shkollës fillore “Hasan Prishtina” të udhëhequr nga drejtoresha Lulieta Qerimi, informuam rreth realizimit të projektit që po e realizojmë si komunë e Çairit për vendosjen e gjithsej 1950 paravaneve mbrojtëse që do të jenë në shërbim të nxënësve nga klasa e parë deri në klasën e tretë të të gjitha dhjetë shkollave fillore të Çairit të cilat mësimin e zhvillojnë me prani fizike gjatë kësaj periudhe të procesit të modifikuar edukativo – arsimor.

Qëllimi të cilin synojmë të arrijmë përmes realizimit të furnizimit të shkollave me këto pajisje është të rrisim nivelin e sigurisë shëndetësore tek fëmijët duke mundësuar mbrojtje më efikase nga rreziku i infektimit. Furnizimi me këto pajisje inovative kap vlerën prej 560 000 denarëve.

Komuna e Çairit ka fokus primar mirëmbajtjen e rregulltë të shkollave fillore dhe në këtë mision partner konstruktiv ka Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, si dhe donatorët privat.