Pas rezultateve të para të KSHZ-së, të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare që u mbajtën më 15 korrik, mbeten shumë paqartësi rreth formimit të Qeverisë. Për formimin e Qeverisë nevojitet shumicë parlamentare prej më së paku 61 deputetë në Kuvend prej ku duhet të vjen edhe mandatari për Qeverinë e re, që do të propozojë kryeministrin dhe përbërjen e Qeverisë.

Akoma nuk ka rezultate zyrtare të KSHZ-së, lidhur me mandatet e fituara nga partitë politike, kjo pasi aktualisht rrjedh afati i dorëzimit të ankesave në KSHZ. Pas shqyrtimit dhe sjelljes së vendimeve, do të kuptohet nëse ankesat do të ndryshojnë diçka në rezultatin zgjedhorë, që aktualisht sipas rezultateve preliminare më së shumti mandate ka fituar koalicioni “Mundemi” i udhëhequr nga LSDM-ja, me 46 deputetë, koalicioni “Ripërtëritje” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE 44, BDI 15, koalicioni Aleanca për Shqiptarët Alternativa kanë marrë 12 mandate, E Majta 2, dhe PDSH një mandat.

Nga LSDM thonë se mandati për formim të Qeverisë është tek lideri i kësaj partie, Zoran Zaev, por njoftojnë se i njejti aktualisht ndodhet në pushim dhe pas 2 Gushtit – festës së Ilindenit, në pajtueshmëri me afatet ligjore do të futen në procesin e definimit të koalicionit qeveritar të udhëhequr nga LSDM.

Përndryshe, sipas kushtetutës, përbërja e re parlamentare mblidhet në seancën konstituive më së voni 20 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve, që nënkupton se kjo gjë do të duhej të ndodhte më së voni në gjysmën e parë të muajit gusht.

Më pas presidenti Stevo Pendarovski ka afat prej 10 ditëve nga konstituimi i Kuvendit, t’ia jep mandatin kandidatit të partisë ose partive që kanë shumicë në Kuvend. Sipas Kushtetutës, më pas mandatari ka 20 ditë kohë që ta propozojë përbërjen e Qeverisë të cilën përbërja e re parlamentare do të duhet ta votojë me shumicë votash.

Nëse ai nuk arrin që të formojë qeveri, mandate I kalohet partisë së dytë me më shumë mandate, në këtë rast VMRO-DPMNE-së.