Ende nuk dihet nëse anëtarët e KSHZ-së do t’i kthejnë apo bonusin prej afër 12 rrogash shtesë që i siguruan vetës së tyre larg syve të publikut, për zgjedhjet e anuluara të prillit të 2016, zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit dhe zgjedhjet lokale të 15 tetorit. Të kontaktuar nga Alsat-M, disa nga anëtarët nuk dhanë përgjigje të qartë, e të tjerët fare nuk u prononcuan nëse bonusin do ta japin për bamirësi, do ta kthejnë në buxhetin e KSHZ-së apo do ta mbajnë për vete.

I ftuar në emisionin “Rruga Drejt…”, nënkryetari i KSHZ-së Rexhep Prekopuca vlerëson se puna që e kanë bërë gjatë zgjedhjeve ka qenë e lodhshme, shumat e të hollave që kanë marr si kompensim janë simbolike dhe e gjithë kjo, sipas tij, është ligjore dhe jo e dëmshme.

Të gjitha vendimet në lidhje me këtë janë në bazë të ligjit dhe ky ligj është ndryshuar me konsensus e të gjitha partive të atëhershme ekzistuese në Parlamentin e Maqedonisë. E tani të thuhet se kjo është jo ligjore, unë nuk pajtohem me këtë! – tha Rexhep Prekopuca, nënkryetar i KSHZ-së.

Xhabir Deralla nga OJQ Civil, vendimin e anëtarëve të KSHZ-së për bonus, të nënshkruara larg syve të opinionit i vlerëson si shkelje serioze të parimit të transparencës.

Ne kemi situatë të tillë sa një shpërblim i tillë për veten i harron paraprakisht, me qëllim ose jo, obligimet ligjore për transparencë. Kjo është një shkelje serioze. Nuk është problem ta shfrytëzoni mundësinë që u është dhënë me ligj deri në maksimum, por obligimin i imponuar me ligj është edhe ta publikoni atë menjëherë pasi të vendosni për këtë, t’i ftoni mediat, publikun, OJQ-të, etj – theksoi Xhabir Deralla , OJQ Civil.

“Kryetari dhe anëtarët e organeve zgjedhore si dhe administrata zgjedhore, kanë të drejtë të kompensimit të përcaktuar me akt të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve”, thuhet në Kodin Zgjedhor.

Është kjo pjesë e Kodit Zgjedhor që u ka lejuar anëtarëve të KSHZ-së që ta shpërblejnë vetën me disa rroga shtesë për punën që e kanë bërë gjatë zgjedhjeve. Ky plotësim i Kodit Zgjedhor është bërë në vitin 2014, ndërsa anëtarët paraprak të KSHZ-së, për televizionin Alsat konfirmojnë se para sjelljes së ligjit, asnjëherë nuk janë gostitur me kësi bonusesh apo kompensimesh. Reagimet në opinion erdhën pasi Ambasadori i SHBA-ve në Shkup Xhes Bejlli, publikisht akuzoi anëtarët e KSHZ-së për jo-transparencë gjatë sjelljes së vendimit për kompensim të punës së tyre. /Alsat M/