Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad.Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti dhe drejtori gjeneral i Normak Investment Group AD Tetovë, Aleksandar Zarkov, sot (16 prill 2020), nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi për vendosjen e komunikimit të drejtpërdrejtë ndërmjet të dy institucioneve. Në ceremoninë e nënshkrimit mori pjesë edhe kryetari i Bordit të drejtorëve të Normak Investment Group, z. Aki Etemi.

Qëllimi kryesor i memorandumit është krijimi i mundësive të punësimit nga Normak Investment Group të studentëve aktual dhe të diplomuarve të UEJL-së, nëpërmjet këmbimit të informacioneve për ofertën dhe kërkesën e fuqisë punëtore.

“Universiteti i Evropës Juglindore e sheh si prioritet bashkëpunimin me sektorin e biznesit jo vetëm në krijimin e vendeve të reja të punës, por edhe në zhvillimin e programeve studimore që do të përgatitin kuadro me dije dhe shkathtësi sipas kërkesave të tregut të punës. Në dekadën e fundit tregu i punës ka një gjendje asimetrike, ku në njërën anë ka papunësueshmëri të lartë dhe në anën tjetër ka mungesë të profileve të caktuara që i kërkon tregu. Nëpërmjet bashkëpunimit me Zonën e Lirë Industriale të Tetovës pritet të krijohen komunikime të drejtpërdrejta dhe punësime reale të studentëve dhe të diplomuarve nga Universiteti ynë. ”, deklaroi Rektori Bexheti

“Gjatë periudhës së ardhshme në kuadër të Zonës planifikohen mbi 1 000 punësime dhe për këtë qëllim dëshirojmë t’i ndihmojmë studentët, të cilët paraqesin potencial për tu punësuar në ndonjërin nga investimet aktuale dhe të ardhshme në këtë zonë. Bashkëpunimi i mirë midis sektorit të biznesit dhe institucioneve arsimore është një orientim që mund të kontribuojë shumë në uljen e papunësisë, duke krijuar kuadër të përshtatshëm në përputhje me nevojat e kompanive. ”, deklaroi Zarkov.

Me këtë memorandum parashihet edhe organizimi i trajnimeve për punëtorët aktual dhe potencial, si dhe realizimi i punës praktike të studentëve të UEJL-së sipas nevojave dhe interesit të kompanive në Zonën e Lirë Industriale të Tetovës.

Normak Investment Group AD Tetovë e menaxhon punën e Zonës Industriale Zhvillimore dhe Industriale në Tetovë, sipas një marrëveshjeje për Partneritet Publik Privat, të nënshkruar me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në vitin 2013.