Ky objekt i lashtë me gurë nuk është muze, por është shkolla fillore e fshatit Nerez të epërm. Në këtë fshat prej 30 shtëpive, mësojnë 10 nxënës, me frikën se do të rrënohet dita-ditës. Prindërit thonë se në këto kushte mesjetare fëmijët e tyre mësojnë që nga klasa e parë, kurse për t’i quar në kopsht duhet t’i dërgojnë 5 km larg shtëpisë.

“Kushtet janë sikurse i shihni vet, prej cilit shekull është e ndërtuar dhe ashtu ka mbetur. Pengojnë, komuna thotë ne nuk e kemi fajin, por ministria, këta të fundit thonë faji nuk është i yni, andaj kështu ka mbetur. Sipas banorëve e kanë fajin shqiptarët që janë atje në kryesi. Shihni shkollat tjera e shikojeni këtë dhe vetë tregon rezultati”, tha Qemuran Fejzullahu, banor Nerezit.

Në lagjen Nerez të mesëm gjithashtu ka mungesë të objektit për parashkollorët. Për kryetarin e Komunës së Karposhit, Stevçe Jakimovski, me prioritet janë rrugicat rreth Lumit Vardar. Të martën inspektoi punën në shtrimin e rrugës dhe sanimin e kanalit prej 250 metrave në lagjen Nerez të mesëm, i cili ka kushtuar rreth 5 milion denarë. Ai thotë se për objektet e Çerdheve janë kompetent Ministria për Punë dhe politikë Sociale.

“Banorët shqiptar kanë nevojë për kopsht fëmijësh në gjuhën shqipe. Banorët e Nerezit duhet të propozojnë një vend, i cili do të jetë në përputhje me planin urbanistik ku do të mund të ndërtojmë një objekt për parashkollorët”, tha Stevçe Jakimovski, Kryetar i Komunës së Karposhit.

Nga Ministria për punë dhe politikë sociale thonë se Komunat janë ato që duhet të gjejnë lokacioni për ndërtimin e Çerdheve dhe pastaj të njoftojnë ministrinë për projektimin e objektit. Sipas përgjigjes së Ministrisë, autoritetet e Komunës së Karposhit nuk e kanë bërë një gjë të tillë për Nerezin.

“Ju informojmë se deri më sot, Komuna Karposh nuk ka parashtruar kërkesë për hapjen e çerdheve, objekt i cili është institucion publik për fëmijë – çerdhe fëmijësh në vendet e lartë përmendura, në Komunën e Karposhit”, nga Ministria për punë dhe politikë sociale.

Për deri sa të merren vesh komuna dhe ministria, fëmijët e Nerezit do të presin edhe fillimin e vitit të ri shkollor në këtë gjendje, siç kanë mësuar për gjenerata të tëra.