Afrimi i zgjedhjeve do të sjellë shfrytëzimin e çdo projekti dhe institucioni për të grumbulluar sa më shumë vota. Kështu e vlerëson analisti Xhelal Neziri, vendimin e sekretariatit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për sistemimin e 800 të punësuarve në institucionet shtetërore brenda një muaji. Sipas Nezirit, mungesa e një sistemi për punësim, len hapësirë që në emër të përfaqësimit të drejtë, marrëveshja të keqpërdoret.

Neziri thotë se për aq kohë sa vazhdon partizimi i kësaj marrëveshje, ajo do të konsiderohet si e pamjaftueshme për stabilitetin dhe demokracinë e vendit.

“Përderisa Marrëveshja e Ohrit do të vazhdojë të partizohet në këtë mënyrë do të kemi reagime në anën tjetër të cilat do të kërkojnë zëvendësimin e sa me një marrëveshje të re, gjë që besoj nuk është mirë për Maqedoninë dhe stabilitetin e saj dhe demokracinë në përgjithësi”, deklaroi Xhelal Neziri, analist.

Zv/ kryeministri për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit Festim Halili, në një intervistë për Alsat deklaroi se 800 administratorë do të sistemohen në institucionet shtetërore brenda një muaji por nuk ju përgjigj pyetjes pse kjo bëhet pikërisht në një periudhë parazgjedhore. Halili po ashtu tha se zbatimi i MO-së nuk ka qenë qëllim i sinqertë i të gjithë faktorëve politik.