Faza e fundit e standardeve të reja të sigurisë së automjeteve do të hyjë në fuqi në Bashkimin Evropian më 7 korrik, gjë që do të sjellë kosto shtesë për prodhuesit dhe, si rrjedhojë, një rritje të re të çmimit të makinave.
Sipas vlerësimeve, çmimet e automjeteve të reja mund të rriten me 400 deri në 1.500 euro, varësisht nga modeli dhe niveli i pajisjeve.
Ky është zbatimi i plotë i Direktivës së BE-së 2019/2144, e njohur si Rregullorja e Përgjithshme e Sigurisë. Me përfundimin e periudhës së tranzicionit, nga korriku asnjë makinë e re nuk mund të regjistrohet në Evropë nëse nuk i plotëson të gjitha standardet e reja të sigurisë, pavarësisht se kur është projektuar modeli. Kjo do të thotë që shumë platforma të vjetra dhe modele më të lira do të duhet t’i nënshtrohen përmirësimeve shtesë teknike për të qëndruar në treg.

