Kryeministri Zoran Zaev, bashkë me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini, në shoqëri të zv/kryeministrit për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, janë ulur në një lokal në Çarshinë e Shkupit, ndërkaq më pas pritet që të japin konferencë për shtyp, raporton Portalb.mk.

Zaev dhe Mogerini po e shijojnë çajin e Çarshisë së Shkupit, pas rrugëtimit të përbashkët me avion nga Strasburgu, ku sot morën pjesë në seancën plenare të Parlamentit Evropian. Me këtë rast, Zaev ka mbajtur edhe fjalim përpara eurodeputetëve.

Pas mbajtjes së fjalimit në Parlamentin Evropian, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev e publikoi një fotografi në rrjetin social “Facebook”, ku së bashku me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian Federika Mogerini udhëtojnë me aeroplan për në Shkup.

“Pas fjalimit tim në Parlamentin Evropian në Strazburg, së bashku me zonjën Federika Mogrerini vijmë në Shkup. Mikja jonë Federika edhe njëherë do të japë përkrahje për të gjithë qytetarët për rrugën tonë të përbashkët drejt familjes evropiane”, shkroi Zaev në profilin e tij të Facebook”-ut.

Më pas, ata dy do të zhvillojnë një takim të përbashkët në Shkup dhe në orën 16:30 do të mbajnë konferencë për media në Çarshinë e Shkupit.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së gjitashtu do të takohet me presidentin e shtetit Gjorge Ivanov si dhe me liderin e VMRO-DPMNE-së Mickoski.