Ngjarje përmbyllëse e projektit tuining “Përforcim i sistemit ndëshkues-përmirësues dhe shërbimit të provës” do të mbahet sot përmes platformës zum.

Tuining projekti i financuar nga BE-ja u zbatua në bashkëpunim me Fondacionin për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar nga Gjermania dhe Qendrën për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar nga Hollanda, ndërsa përfituesi kryesor ishte Drejtoria për ekzekutimin e sanksioneve pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë informon se në ngjarje do të mbajnë fjalim Ministri Bojan Mariçiq, zëvendës-shefi i Delegacionit të BE-së, Xhulian Vasalo, Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë, Anke Holshtajn dhe Ambasadori i Mbretërisë së Hollandës, N.E. Dirk Jan Kop.

Për arritjet e projektit do të flasin drejtori i Drejtorisë për ekzekutimin e sanksioneve, Marjan Spasovski dhe udhëheqësi i projektit, Petar Sherer. Është parashikuar edhe prezantim mbi arritjet e projektit nga përfaqësuesit e Drejtorisë për ekzekutimin e sanksioneve, gjyqtarë dhe prokurorë, drejtorë të burgjeve, shërbyes të provës dhe përfaqësues të Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë.