Nëse nuk jep dorëheqje, unë do të kërkoj shkarkimin e saj nga Qeveria dhe Bordi Drejtues i Agjencisë. Këtë, në debatin e mbrëmshëm “Klik Plus” të TV21, e paralajmëroi zëvendëskryeministri për luftë kundër korrupsionit dhe krimit, Ljupço Nikollovski, pasi në opinionin publik u paraqitën dyshime për ndarje të granteve nga fonde evropiane, kurse puna e Agjencisë ishte vënë nën hetim jo vetëm nga institucionet vendase, por edhe nga Komisioni Evropian.

“Lidija Dimova ndoshta mendon se nuk duhet të japë dorëheqje, por unë kam mendim tjetër. Do të kërkoj përgjegjësi politike, respektivisht kërkesë për dorëheqje nga drejtoresha e kësaj Agjencie dhe paralelisht me këtë zbardhje të plotë të rastit dhe përcaktim të së vërtetës, që janë procedura të ndryshme nga ato që i zbatojnë organet e tjera”, u shpreh Nikollovski në ClickPlus.

Disa herë kontaktuam me Dimovën dhe kërkuam koment lidhur me paralajmërimet e Nikollovskit për dorëheqjen apo shkarkimin e saj, por ajo thoshte se është e zënë dhe se nuk mund të flasë. Dimova në pres-konferencën që e mbajti të martën, tha se nuk do të japë dorëheqje, pasi këtë e kërkuan nga VMRO-DPMNE-ja.