Ky definitivisht është shans historik për zgjidhjen e kontestit me emrin. Për atë nëse do të arrijmë zgjidhje ka akoma shumë punë, por mendoj se tani jemi më afër se kurrë dhe vlerësoj se vullneti tek të dyja palët në nivel liderësh dhe sipas meje, në mesin e më shumë qytetarëve, është pozitiv, vlerëson ndërmjetësi Methju Nimic në intervistën për emisionin 360 gradë në TV Alsat.

“Mendoj se njerëzit besojnë se ka ardhur koha për zgjidhjen e kësaj çështje, ta lëmë pas nesh, të shkojmë përpara dhe mendoj se jemi duke lëvizur në drejtim të vërtetë”, deklaroi Nimic.

Lidhur me atë se në cilin drejtim do të vazhdojë procesi, thotë se jo të gjithë, edhe në Athinë edhe në Shkup, janë të lumtur me gjithçka që kanë dhënë në idetë e tij, por, thekson, qëllimi i tyre është të jenë sugjerime prej të dyja palëve të cilët do t’i afronin pozitat e tyre.

“I dhashë disa sugjerime dhe i dëgjova pozitat e të dyja palëve. Mendoj se tani do të tentoj të “mbledh” diçka nga ajo që është ofruar. Por, gjithashtu, dy ministrat e Punëve të Jashtme kanë dialog, njihen mirë dhe mendoj se ata janë njerëzit e vërtetë, por në fund varet prej të dyja qeverive nëse do të dakordojnë zgjidhje”, thekson Nimic.

Shton se idetë e tij kanë qenë relativisht korrekte dhe se pasi i ka dëgjuar të dyja palët vlerëson se disa prej ideve mund të mënjanohen, disa mund të përpunohen, të zvogëlohen disa prej dallimeve, disa çështje mund të zgjidhen, disa çështje munden në mënyrë plotësuese të ndërlikohen, por, siç tha, në këtë fazë ai është optimist se mund të gjenden zgjidhje për tejkalimin e dallimeve.

Për atë se si e vlerëson vendimin që aeroporti dhe autostrada të riemërohen, Nimic thekson se ky është një hap i madh përpara, madje, siç thotë, edhe me dimension historik pasi që nuk mban mend ndonjë takim më të mirë midis dy kryeministrave të të dyja vendeve në angazhimin e tij që nga viti 1994/95.

“E kanë mirënjohjen time dy kryeministrat, ka mirënjohjen time kryeministri Zaev për ndërmarrjen e këtyre gjesteve të rëndësishme për krijimin e vullnetit të mirë në rajon dhe vullnetit të mirë ndaj fqinjit”, thekson Nimic.

Në pyetjen nëse përdorimi ndërkombëtar i cilitdo emri të dakorduar eventual që kjo të qëndrojë edhe në pasaportat dhe dokumentet e tjera të identifikimit të cilat përdoren në komunikimin ndërkombëtar, Nimic thotë se “pasaportat janë dokumente ndërkombëtare dhe nëse ka marrëveshje për modifikimin e emrit kjo do të ishte e zbatueshme në dokumentet si pasaportat”.

Për atë se cilat janë kufijtë se ajo që do të dakordohet do të implementohet nga pala greke, Nimic thotë se prandaj ka dialog midis dy vendeve dhe prandaj duhet marrëveshje.

Lidhur me atë cili drejtim do të vazhdojë procesi dhe kur pret takim me ministrat e Punëve të Jashtme të të dyja vendeve, Nimic thotë se të dy kanë biseduar për procesin dhe akoma nuk kanë dakorduar datë të saktë dhe për metodologji precize që të shkojë përpara.

“Sipas meje, duhet të kemi lëvizje në javët e ardhshme, kjo nuk është diçka që duhet të stërzgjatet. Mendoj se ka moment të caktuar edhe atë moment pozitiv. E di se në të dyja vendet ka kundërshtarë të disa prej ideve, madje edhe kundërshtarë për arritjen e marrëveshjes, por mendoj se qeveritë e të dyja vendeve dëshirojnë marrëveshje dhe mendoj se qytetarët e të dyja vendeve dëshirojnë kjo çështje të mbyllet. Për këtë jemi duke biseduar për 25 vjet, çështjet janë në tryezë, i dimë çështjet, i dimë zgjidhjet e mundshme. Para ca ditësh thashë, kjo është kohë vendimesh e jo vetëm për biseda abstrakte, duhet të ulemi dhe të themi nëse mundemi ta zgjidhim këtë. Mendoj se me udhëheqësitë në të dyja vendet, me ide të mira në tryezë, do të bëjmë angazhim të vërtetë që këtë ta arrijmë”, thekson ndërmjetësi Methju Nimic. /Fol/