Nisma qytetare #DontYou20Me nëpërmjet një komunikate drejtuar mediave i’u është drejtuar gjithë shqiptarëve, ndjekësve dhe përkrahësve të kësaj fushate sensibilizuese, me një falenderim të veçant, për mbështetjen dhe motivimin që shqiptarët i japin misionit të kësaj nisme.

Në vazhdim komunikata e plotë e #DontYou20Me:

“Të nderuar ndjekës dhe përkrahës të kësaj nisme apo fushate, na lejoni që t’iu falenderojmë për mbështetjen dhe motivin që na jepni në misionin tonë.

Qëllimi i kësaj nisme, para se të jetë politik është human dhe shumë fisnik. Është nismë qytetare, që për qëllim ka sensibilizimin e opinionit, brenda dhe jashtë vendit, rreth një çështjeje shumë të ndjeshme që po i mundon shqiptarët e Maqedonisë. Gjithashtu, besojmë se me anë të kësaj nismeje dhe përkrahjen e madhe që po gjejmë tek ju, do të arrijmë të bëjmë presionin e nevojshëm ndaj atyre që bëjnë politikën vendore dhe na përfaqësojnë në institucionet e shtetit.

Të bëjmë presionin e nevojshëm që çështja që kaq shumë po na mundon dhe po na lodh, të zgjidhet njëherë e mirë.

Do të dërgojmë mesazhet tona dhe do mundohemi ti bindim edhe përfaqësuesit e shteteve tjera të akredituara në Maqedoni, sidomos atyre më me ndikim në politikën vendore, SHBA dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian. E themi “ti bindim” sepse mendojmë se ky është momenti më i përshtatshën për ta zgjidhur këtë çështje dhe presioni ndërkombëtar duhet të jetë më i madh ndaj institucioneve relavante politike.

Tani që veçmë është hapur procedura për ndryshimet kushtetuese dhe po pritet nga qeveria që të dorëzojë propozim amandamentet, që duhet të diskutohen dhe votohen, ne e cilësojmë si momentin e duhur për ta zgjidhur çështjen tonë dhe të fillojmë të ndërtojmë një shtet me shoqëri të barabartë.

Duam diçka shumë të thjeshtë dhe esenciale. Të quhemi shqiptar dhe gjuha jonë të quhet gjuha shqipe në Kushtetutën e vendit ku jetojmë dhe ku jemi të shumtë në numër. Besojmë se kaq na takon. I takon çdo populli në Botë.

Falenderojmë përzemërsisht, të gjithë qytetarët, personazhe publike apo edhe të jetës akademike që na mbështesin. Falenderojmë mediat shqiptare në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri, për mbulimin mediatik dhe që e trajtojnë me kaq seriozitet nismën tonë. Kjo na motivon më shumë.

Falenderojmë edhe përfaqësuesit politik shqiptar nga opozita dhe anëtarësinë e tyre. Janë të shumtë nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa që na përkrahin publikisht. Kemi përkrahës edhe nga shumë anëtarë të partisë shqiptare në pushtet, BDI. Andaj i bëjmë apel krerëve të kësaj partie që ti bashkohen nismës sonë dhe bashkë me partitë tjera shqiptare ta çojnë drejt fundit këtë çështje. Të mos bëjmë edhe në të ardhmen gara politike me premtimet e njëjta si në këto 27 vite. Nëse nuk mund ta përkrahni këtë nismë tonën, atëherë të paktën mos na pengoni!

Ju respektojmë pafundësisht!”