Libri “Ballkani Perëndimor dhe Bullgaria (politikë, diplomaci, siguri)” i dr. Metodievit është një hulumtim serioz mbi proceset e rëndësishme politike në rajon. Libri u bë shembull për studimin dhe hulumtimin e politikës bullgare jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj shteteve ballkanike në përgjithësi

Doli nga shtypi libri i ri i profesorit bullgar Kallojan Metodiev me titullin “Ballkani Perëndimor dhe Bullgaria (politikë, diplomaci, siguri)”. Kallojan Metodiev është profesor i Shkencave politike dhe hulumtues i politikës së brendshme dhe të jashtme bullgare. Libri i tij i ri hulumton politikën e jashtme bullgare në dekadat e fundit në drejtim të vendeve ballkanike – me Kroacinë, Kosovën dhe Serbinë. Libri bazohet kryesisht mbi burime diplomatike, Arkivin e Ministrisë së punëve të jashtme të Bullgarisë, janë bërë intervista me shumë diplomatë etj. Këto burime primare sjellin fakte të shumta interesante mbi politikën rajonale bullgare.

Kapitulli i dytë i librit është kushtuar Kosovës dhe në të bëhen analiza të shumta për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë. Në fillim është bërë një retrospektiv historik për lidhjet mes Bullgarisë dhe Kosovës në shekullin XX. Në rrethanat politike dhe historike në shekullin e kaluar marrëdhëniet e para ndërmjet Bullgarisë dhe Kosovës faktikisht kanë filluar në vitet 70-ta, kur Mahmut Bakalli ka bërë sondazhe te liderët dhe diplomatët bullgarë rreth mundësisë Kosova të shpallej Republikë. Autori i librit ka hulumtuar dokumentet diplomatike bullgare, të cilat tregojnë se interisimi i Sofjes zyrtare rreth zhvillimeve në Kosovë janë rritur shumë në periudhën e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe luftërat jugosllave. Në librin e tij është ndarë shumë vend për Krizën e Kosovës në vitet 90-ta, për Luftën e NATO-s, për refugjatat dhe qëndrimin e Bullgarisë kundrejt këtyre çështjeve. Është trajtuar politika zyrtare e Bullgarisë në lidhje me çështjen e Kosovës, bashkëpunimi me SHBA, BE-në, NATO-n dhe partnerët e tjerë për zgjidhjen e krizës. Në mënyrë të veçantë janë analizuar veprimet e Bullgarisë rreth Planit “Patkua”, ndihmesat e Bullgarisë për forcat e NATO-s dhe për refugjatat, etj. Pastaj prezantohen dhe analizohen marrëdhëniet mes Kosovës dhe Bullgarisë në shekullin e ri, nënshkrimi i marrëveshjeve për bashkpunim në shumë fusha, lidhjet ekonomike, tregtare, kulturore dhe politike. Autori ka analizuar me hollësi edhe njohjen e Kosovës nga Bullgaria në koordinim me Kroacinë dhe Hungarinë. Prezantohen edhe vizitat politike në nivel të lartë dhe interesat e përbashkëta mes të dyja vendeve. Kapitulli pëfundon me propozime për zhvillimin dhe ngritjen e marrëdhënive mes Bullgarisë dhe Kosovës.

Edhe në kapitujt e tjerë, të cilët trajtojnë politikën e Bullgarisë kundrejt Serbisë dhe Kroacisë, gjithashtu ka referenca për Kosovën, sepse Kosova ka qenë faktor edhe për marrëdhëniet rajonale dhe dypalëshe. Diplomatët dhe politikanët bullgarë kanë diskutuar problemet e Kosovës me liderët e Kroacisë dhe të Serbisë, që tregon se për politikën e jashtme bullgare çështja e Kosovës ka pasur dhe vazhdon të ketë përmasa ndërkombëtare.

Libri “Ballkani Perëndimor dhe Bullgaria (politikë, diplomaci, siguri)” i dr. Metodievit është një hulumtim serioz mbi proceset e rëndësishme politike në rajon. Libri u bë shembull për studimin dhe hulumtimin e politikës bullgare jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj shteteve ballkanike në përgjithësi.