Një zyrtar i Policisë së Kosovës, me inicialet A.B, është vrarë dhe dy të tjetër është plagosur në orët e para të mëngjesit të sotëm në veri të Kosovës.

Burimet e Klan Kosovës bëjnë me dije se polici i vrarë është Afrim Bunjaku, nga fshati Samadrexhë e Vushtrrisë.

I ndjeri sipas të njëjtave burime mbante gradën e rreshterit.

Lajmi për incidentin është kumtuar edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook, duke thënë se Policia është sulmuar në fshatin Banjska të Leposaviqit.

Ai e ka quajtur sulmin si terrorist, duke thënë se krimi i organizuar me “mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tone”.

Kurti ka thënë se polici i vrarë ka qenë rreshter ndërsa i plagosuri pjesëtar i policisë kufitare.

“Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda”, ka thënë Kurti rreth orës 7:30 të mëngjesit.

Ai ka thënë se “kriminelët ekzekutorë” do të dështojnë dhe do të gjykohen.

Kurti ka thënë se zyrtari i plagosur është jashtë rrezikut për jetë.

Mjeku kujdestar në Klinikën Torakale ia ka konfirmuar Radios Evropa e Lirë se një pjesëtari të Policisë ia kanë hequr një pjesë të granatës që i ka rënë në dorën e majtë dhe i ka depërtuar deri te pjesa e mushkërisë./REL