Napoli fitoi me rezultat 0-5 ndaj Cagliarit në Serie A, por në fund gjithë tifozët ishin të shqetësuar për Elseid Hysajn.

Shqiptari la fushën në minutën e 74 dhe në vend të tij në lojë u inkuadrua Cristian Maggio.

Fillimisht u fol për një lëndim të Hysajt, por sipas Radio Kiss Kiss, ishte vetëm një lodhje e 24-vjeçarit.

Ylli i Kombëtares së Shqipërisë është një nga më të mirët në rolin e tij në Serie A dhe mungesa e mundshme do ishte problem për Napolin në garën për titull.

Hysaj me fanellën kur arriti 100 ndeshje te Napoli

Në 2045 minuta lojë në kampionatin italian këtë sezon ai ka dhuruar një asistim dhe është lojtari i pestë me më së shumti minuta në fushë te skuadra e Maurizio Sarrit.

Më shumë minuta kanë vetëm Pepe Reina (2250), Kalidou Koulibaly (2250), Dries Mertens (2215) dhe Jose Callejon me 2204 minuta.

Napoli pas javës së 26-të vazhdon në vendin e parë me 69 pikë dhe Roma është kundërshtari i ardhshëm.