Gati dy muaj me radhë, nxënësit shqiptarë të Ohrit që udhëtojnë deri në Strugë për t’i ndjekur mësimet, vet i paguajnë shpenzimet rrugore. Ata janë të detyruar që shkollimin e mesëm ta vazhdojnë në Strugë pasi në Ohër në asnjë shkollë të mesme nuk ka paralele në gjuhën shqipe. Nxënësit pyesin se kush do t’ua kompensojë harxhimet rrugore.

Nga shkolla e mesme “Niko Nestor” bindin se problemi së shpejti do të tejkalohet.

Drejtori i kësaj shkolle, Mile Poposki, thotë se që në muajin qershor kanë marrë tender për transportin e nxënësve, porse asnjë transportues nuk i ka plotësuar kushtet, ku si pasojë është shpallur tenderi i ri që tashmë ka përfunduar.

Megjithatë, nuk kanë zgjidhje se në çfarë mënyre do t’i kompensojnë shpenzimet që nxënësit i kanë dhënë këtë periudhë.

“Në këtë periudhë kishim marrëveshje, por nëse ka ndonjë zgjidhje, edhe pse transporti është bërë, pa marrë parasysh a i kanë vozitur falas apo me pagesë, do të konstatohet dhe do të kërkojmë zgjidhje përkatëse”, tha Poposki.

Nga Ohri në Strugë në të dy shkollat, në gjimnaz dhe në shkollën e mesme profesionale, mësimin e ndjekin rreth 60 nxënës shqiptarë. Bileta kthyese është 100 denarë, ndërsa përfshirë edhe shpenzimet për ushqim, çdo familje prej buxhetit duhet të ndajë deri në 100 euro në muaj./Alsat/