Gjatë një takimi privat që zgjati dy orë, Obama u përpoq të bashkonte anëtarët e partisë së tij, pikërisht kur republikanët ndërmorën hapin e parë për të shpërbërë një nga pjesët më të rëndësishme të trashëgimisë së presidentit.
Republikanët votuan në Senat për një rezolutë buxheti që e lë pa fonde ligjin që njihet si “Obamacare”.
Ky i fundit mbuloi me sigurime shëndetësore 20 milionë amerikanë më shumë, por efektet e tij anësore ishin rritja e çmimit të sigurimit dhe largimi i kompanive kryesore të sigurimeve nga skema, duke i lënë amerikanëve shumë më pak zgjedhje.
Zyrtarë demokratë thanë se Obama i kishte kërkuar të luftonin për të mbrojtur ligjin e tij kryesor. Ata gjithashtu shtuan se ai i kishte kërkuar të qëndronin të fortë, ndërsa republikanët përgatiten që të marrin kontrollin e Shtëpisë së Bardhë dhe dy dhomave të Kongresit për herë të parë në një dekadë.