Janë me dhjetra çështjet në punët e jashtme në të cilat Barack Obama ka kritikat jo vetëm të kundërshtarëve të tij politikë, por edhe vetë brenda radhëve të demokratëve dhe njëra prej tyre është edhe Libia.

Vetë shefi i Shtëpisë së Bardhë bëri “mea culpa” për këtë rast. Duke folur për qeverisjen e tij në Fox News, Obama la të kuptohej se Uashingtoni kishte dështuar në parashikimin e periudhës post-Gaddafi, që e zuri atë të papërgatitur.

“Mendoj që ndërhyrja në Libi ishte veprimi i duhur, por dështimi në ngritjen e një plani për atë që ndodhi dhe vazhdon të ndodhë që pas rrëzimit të Muammar Gaddafit, ndoshta është gabimi im më i madh”, u shpreh ai.

Vala e protestave për demokraci që përfshinë vende të Afrikës Veriore dhe të Lindjes së Mesme, që më vonë do të njihej si “Pranvera Arabe”, përfshiu edhe Libinë në vitin 2011. Protestat fillestare, që nisën në lindje të vendit u shtypën me forcë nga ushtria e kolonel Gaddafit.

Në vazhdën e këtyre ngjarjeve, Shtetet e Bashkuara, të mbështetura nga disa vende të tjera të Perëndimit ndërmorën sulme ajrore me mision mbrojtjen e civilëve.

Kjo forcoi pozitat e rebelëve të armatosur, lëvizje që kishte krijuar bazën e vet në Bengazi. Ata gradualisht nisën të fitonin terrent në gjithë vendin dhe më 20 tetor të 2011, pas më shumë se 8 muajsh luftime, një fraksion i tyre zuri rob e më pas vrau Muammar Gaddafin.