Pas spekulimeve të shumta për gjenezën e shpërthimit të coronavirusit, Organizata Botërore e Shëndetit ka thënë se deri më tani provat tregojnë se virusi është më origjinë nga shtazët, duke hedhur poshtë raportimet që është prodhuar në një laborator kinez.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, presidenti amerikan Donald Trump, tha që administrata e tij po shqyrtonte pretentimet e padëshmuara që coronavirusi buron nga një laborator në Wuhan.

Wuhan një qytet në provincën Hubei të Kinës, konfirmoi rastet e para nga COVID-19 në fund të vitit të kaluar.

Kështu të martën, zëdhënësja e OBSH-së, Fadela Chaib, tha që të gjitha provat sugjeruan se virusi nuk është manipuluar, ose të jetë ndërtuar në një laborator apo diku tjetër.

“Virusi ka të ngjarë të ketë origjinë nga shtazët”, tha ajo në një konferencë për medie në Gjenevë.

Sipas Chaib, ende nuk është bërë e qartë se si u transferua virusi nga kafshët tek njerëzit.

“Ka të ngjarë që ka ‘rezervuarin’ e tij ekologjik në lakuriq – por mënyra se si virusi erdhi nga lakuriqët tek njerëzit mbetet akoma për t’u zbuluar”, tha ajo.