Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, mbrojti sot veten kur tha se OBSH kishte paralajmëruar me kohë për epideminë e coronavirusit si një emergjencë ndërkombëtare në fund të janarit.

“Njoftimi i 30 janarit dha kohë të mjaftueshme për pjesën tjetër të botës për të dalë me një përgjigje sepse kishte vetëm 82 të infektuar në atë kohë dhe nuk kishte vdekje jashtë Kinës”, tha Tedros në një konferencë shtypi virtuale të mbajtur në selinë e OBSH-së në Gjenevë, transmeton Telegrafi.

Ai gjithashtu tha se në ditët para shpalljes së kërcënimit global, OBSH vizitoi Kinën për të hetuar më shumë rreth virusit të ri.

Gjatë asaj vizite, një marrëveshje u arrit gjithashtu me Kinën për të dërguar hetuesit, shtoi ai.

Marrëdhënia SHBA-OBSH

Ai u pyet për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, donatori më i madh i organizatës, shtet i cili tërhoqi fondet, pasi kritikoi menaxhimin e pandemisë së OBSH-së.

“Ne jemi në të vërtetë në kontakte të vazhdueshme dhe bashkëpunojmë”, u përgjigj Tedros.

Tedros gjithashtu tha që OBSH dëshiron të punojë me qeveritë për hapjen graduale të trafikut të udhëtarëve.