Opozita shqiptare vlerëson se Qeveria nuk ka gatishmëri për ndryshimet kushtetuese, prandaj edhe tani e tutje nuk do ta ketë përkrahjen e Lidhjes Evropiane për Ndryshim e cila në Kuvend përfaqësohet me 6 deputetë. Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami në intervistën për Alsat tha se fakti që Qeveria tregoi rezerva ndaj përcaktimit 20% mbi gjuhën shqipe, dëshmoi se nuk dëshiron mbështetjen e opozitës shqiptare në këtë proces.

“Ne më tani po shohim se kjo Qeveri nuk ka gatishmëri për të vazhduar procesin e integrimeve. Neve vlerësojmë se kjo Qeveri duhet të shkon dhe më nuk ka përkrahje për ndryshimet kushtetuese me këtë Qeveri”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi gjatë pritjes në vizitë të homologut të tij bullgar, nuk hyri në thelb të procesit të ndryshimeve kushtetuese, por tha shkurt se nevojiten 80 vota për miratimin e tyre.

“Jemi edhe në proces të ndryshimit të kushtetutës, për çka na nevojitet shumicë prej 2/3”, tha Talat Xhaferi, Kkryetar i Kuvendit.

Ditë më parë Xhaferi tha se nuk ngarkohet me faktin nëse ka numra ose jo, por thjeshtë seancën do ta vazhdojë në momentin që informohet se është siguruar shumica e nevojshme. Debati për hapjen e Kushtetutës ka ngecur në mbylljen e diskutimit, ndërsa seanca është ndërprerë në mungesë të numrave. Hapja e aktit më të lartë juridik bëhet me 80 vota, ndërsa më pas vijon faza e leximit, shqyrtimit dhe miratimit të amendamenteve. Në fund për miratimin e ndryshimeve kushtetuese nevojiten përsëri 80 vota dhe shumica e badenterit. Ndryshimet parashikojnë përfshirjen e bullgarëve në preambulë, veprim ky që përbën kusht që Maqedonia të vazhdojë negociatat për anëtarsim me BE-në. Opozita maqedonase ka deklaruar se nuk do t’i mbështes ndryshimet, ndërsa opozita shqiptare kishte vendosur për kusht heqjen e 20% dhe miratimin e amendamentit për mos vjetërsimin e veprave penale që ndërlidhen me shpërdorimin e detyrës zyrtare. /Alsat.mk