Organizatori i protestave antishqiptare në Maqedoni Bogdan Ilievski sot e ka porositur Lëvizjen BESA se nuk i duhet të jetë pjesë e qeverisë bashkë me BDI-në, përcjell FOL.
“Çfarë i duhet Besës të mendohen nëse do të jenë në qeveri ose jo? A nuk meritoni pushim dhe shkëlqesi në vend? Të dielën në vend që të shëtiteni në bjeshkë, ata (LSDM, v.j.) duhet ta bindin Besën se duan të jenë në koalicion ne BDI-në, por ende nuk e dinë këtë”, ka shkruar mes tjerash Ilievski, i cili pas kësaj edhe i është gëzar lajmit që LSDM dhe Besa nuk kanë arritur marrëveshje koalicioni.

Ilievski, i njohur edhe me nofkën “Betmen”, gjithashtu dyshohet edhe si prijësi që duhet të mbajë përgjegjësi për dhunën në Kuvendin e Maqedonisë me 27 prill, kur u tentua likudimi i Ziadin Selës, Zoran Zaevit dhe disa deputetëve tjerë të shumicës parlamentare. Kjo ndodhi pasi që deputetët e Besës e kishin braktisur Kuvendin, pa e votuar Talat Xhaferin për spiker të ri parlamentar, kurse pikërisht zgjedhja e Xhaferit ishte alibia formale për dhunën e huliganëve.

Përndryshe, në deklaratat për mediat e kontrolluara nga VMRO-ja e Nikolla Gruevskit, “Betmeni” tha se në kohën kur rriheshin deputetët nuk kishte qenë në Kuvend, porse kishte dalë për në toalet në një kafene aty afër.