Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në një dalje për media komentoi edhe deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama i cili një javë me parë tha se shqiptarët do të pyeten nëse duan që aplikimi për në BE të jetë bashkë me Maqedoninë e Veriut, apo jo.

Ndër të tjera, Osmani shtoi se këta janë procese ciklike, Shqipëria sot nuk ka problem, Maqedonia ka, ndërkaq në vitin 2019 situata ishte e kundërt Maqedonia e Veriut nuk kishte problem, ndërsa Shqipëria kishte.

“Këto procese janë ciklike, sot Shqipëria nuk ka problem, Maqedonia e Veriut ka, megjithatë në vitin 2019 situata ishte e kundërt, ne nuk kishim probleme, Shqipëria kishte. Nëse shohim në afat të shkurtë, ndoshta do të kemi interes të caktuar për një hap në procesin, megjithatë në afat të gjatë konsideroj se me dinamikë rajonale të dyja shtetet do të fitojnë. Për këtë vlerësoj, nëse ky është argument plus, për bindjen e shtetasve shqiptarë, të Qeverisë shqiptare, se qasja rajonale joformale është në interes të të dyja shteteve, por edhe i rajonit në tërësi. Por, Shqipëria ka të drejtë të kërkojë një gjë të tillë sepse procesi është individual”, sqaroi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.