Zv. kryeministri ka deklaruar se Ligji i Gjuhëve nuk do të ndryshojë dhe se udhëzimet e Komisionit të Venedikut kanë të bëjnë me mungesën e kapaciteteve për zbatimin e tij.

Sipas tij, rishikimi i këtij ligji rrezikon procese tjera të rëndësishme në vend, duke shtuar se do të vazhdohet me punë për ngritjen e kapaciteteve të nevojshme institucionale për zbatimin e ligjit në fjalë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ai është ndalur edhe te kriza në Kuvend duke deklaruar se është herët të flitet për pozicione ekstreme sepse ende është faza e bashkërendimit ndërmjet partive politike.

Duke komentuar deklaratën e Kryeministrit Zaev për dorëheqje nëse frenohen ligjet e rëndësishme për qytetarët, Osmani tha se është optimist se do të tejkalohen dallimet në Kuvend.

Ai shtoi se ka një bashkërendim se si të tejkalohet situata e tanishme në kuvend, për miratimin e ligjeve, duke u shprehur se beson që do të arrijnë që me sukses ta mbyllin këtë vit.

Osmani beson se do të ecet tutje drejt zgjedhjeve të parakoshme të prillit të ardhshëm.