Maqedonia e Veriut pret që në janar të vitit 2022 të ketë marrëveshje me Bullgarinë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe heqjen e vetos për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në rast se do të ketë vullnet politik nga Qeveria e re bullgare, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Osmani i bëri këto deklarata teksa komentoi pritjet e zyrtarëve bullgarë për bisedime në gjashtë muajt e ardhshëm për çështjet që lidhen me ekonominë, infrastrukturën, arsimin, shëndetësisë, e sfera tjera, përskaj atyre për historinë. Osmani tha se në rast se ka vullnet politik, marrëveshja mund të arrihet qysh në janar, për të ruajtur jo vetëm besueshmërinë e BE-së, por edhe dinamikën e zhvillimit rajonal.

“Duke pasur parasysh rrjedhën e bisedimeve, afat prej gjashtë muajve është shumë i gjatë për të kapërcyer dallimet dhe shumë i gjatë për fillimin e negociatave mes BE-së dhe Maqedonisë Veriut, sepse besueshmëria e bllokut evropian nuk mund të zgjasë edhe gjashtë muaj, por dinamika rajonale vështirë se mund të mbahet me gjashtë muaj shtesë të paparashikueshëm. Nëse ka vullnet politik, janari mund të jetë mundësia e radhës për t’i kapërcyer dallimet”, deklaroi Osmani pas takimit me ministrinë e Jashtëm të Hungarisë, Peter Szijjarto./