Deklarata e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, për Televizionin grek “Skaj” se jemi vend pa emër, është dhënë në kontekstin pozitiv dhe ka të bëjë me gjendjen aktuale me përdorimin e referencës së përkohshme për shtetin në organizatat ndërkombëtare, deklaroi sot zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.”Deklarata e Ahmetit është dhënë në kontekstin pozitiv në kuptimin se Republika e Maqedonisë në institucionet ndërkombëtare realisht është pranuar nën referencën IRJM, që as nuk është dëshirë e qytetarëve, as nuk pranohet prej qytetarëve e as nuk është zgjidhje e përherhshme. Thjeshtë në institucionet ndërkombëtare kemi ndonjë zgjidhje të përkohshme, gjegjësisht nuk kemi emër. Zotri Ahemti referon se negociatat kanë të bëjnë me zgjidhjen e këtij kontesti dhe zëvendësimin e referencës me emër i cili do të jetë i përhershëm. Zgjidhjet e përkohshme nuk japin sinjale të mira për vetë shtetin. Neve na duhen vendime të përhershme për shtet të përhershëm”, tha zëvendëskryeministri Osmani në pyetjen e gazetarëve në konferencën për shtyp me rastin e prezentimit të analizës së strategjisë së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, BDI ka rol konstruktiv në gjithë procesin. Është e kyçur tërësisht në procesin dhe ndërtimin e qëndrimit për këtë çështje, ndërsa Ahmeti është pjesë e takimeve lidere dhe është në komunikim të vazhdueshëm me kryeministrin Zaev për këtë çështje.

“Ndoshta kemi dallime për këtë çështje, por nuk kemi keqkuptime apo dëshira për pengimin e procesit, por këto janë dallime konstruktive, ide dhe këshilla të cilat tentojnë të ndihmojnë në proces”, thotë Osmani.

Ai shton se Ahmeti është gjatë në këtë proces dhe është i njoftuar me qëndrimet e të gjitha partive dhe me të gjitha momentet, kështu që sipas tij, këshillat e tij janë shumë të rëndësishme dhe njihen prej Nimicit dhe prej faktorëve politik në Maqedoni.

I pyetur nëse ekzistojnë dallime midis anëtarëve të koalicioni qeveritar duke e marrë parasysh se Ahmeti vlerëson se janë të mundshme ndryshime kushtetuese, ndërsa kryeministri Zaev publikisht deklaroi se janë bërë që nga viti 1993 dhe nuk nevojiten ndryshime të reja, tha se tani nuk është koha të hapen këto çështje, por është i nevojshëm analizimi i gjithë energjisë shoqërore, politike në gjetjen e zgjidhjes e cila do të jetë e pranueshme.

“Vlerësoj se çështja është shumë komplekse që të mund ta zgjidhim përnjëherë. Tani jemi duke folur për zgjidhje të pranueshme të përbashkët, se si do të verifikohet në shtet dhe jashtë shtetit, ndërsa më pas do të vendosim për çështje të tjera”, tha Osmani.

Ai shtoi se për çështjen e emrit nuk mund të ketë zgjidhje parciale, por duhet të jetë një zgjidhje dhe e vetme e pranueshme për të dyja shtetet pa pasur mundësi më pas për bllokim nga Greqia.

Lidhur me atë se sa janë të mundshme rezultatet nga reformat në rast se ekziston bllokim në Parlament, Osmani theksoi se edhe krahas Qeverisë përgjegjësi për zbatimin e tyre ka edhe opozita.

“Opozita ka përgjegjësi të rëndësishme ndaj këtij procesi dhe mundet në mënyrë të rëndësishme ta ngadalësojë nëse vendos ashtu. Megjithatë për këtë do të duhet të japë përgjigje para elektoratit të vet, para qytetarëve, në kushte të vitit historik dhe mundësisë historike për shtetin dhe rajonin. Ne jemi të hapur për bashkëpunim. Vendimi i tyre është se si do të sillen”, tha Osmani.

Sipas tij, akoma ka hapësirë opozita të ndryshojë qasje lidhur me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili thekoi se është proces i pakthyeshëm, ndërsa shkelje të procedurës ka edhe nga presidenti Ivanov, pasi që, siç tha, ai nuk është kompetente ta vlerësojë kushtetutshmërinë e ligjit.