Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, në një përgjigje për Gazeta Blic ka folur pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ajo tha se pavarësisht mospajtimeve rreth disa pjesëve të arsyetimit të Gjykatës, Kushtetuta jonë nuk lë hapësirë e rrugë tjetër sa i përket zbatimit të vendimeve nga ana e institucioneve. Osmani ka theksuar se zgjedhjet janë i vetmi opsion.

“Politikisht, siç e kam thënë edhe në të kaluarën, zgjedhjet janë i vetmi opsion që do të mund të rikthenin legjitimitetin e institucioneve”, ka theksuar ajo për Blic.

Por në ndërkohë, ka shtuar ajo, deri sa do të krijoheshin rrethanat për zgjedhje për shkak të pandemisë, “mendoj se e vetmja mënyrë për të parandaluar polarizimin ekstrem dhe përplasjet e mëdha në këto kohë sfiduese do të kishte qenë një qeveri tranzitore, ta zëmë për 6-9 muaj, e udhëhequr nga një figurë unifikuese mbi-partiake dhe me ministra teknik”.

Kjo sipas Osmanit, do mundësonte tejkalimin e krizës politike e ekonomike, përgatitjen për organizim të zgjedhjeve të reja, arritjen e konsensusit rreth dialogut dhe mbrojtjes së integritetit territorial.

Kryetarja e Kuvendit konsideron se qeveritë që janë të varura nga Lista Serbe, nuk kanë sjellë stabilitet.