Maqedonia ballafaqohet me krizë politike, ndërsa zgjedhjet lokale janë testi i parë për qeverinë e re në rrugën e eurointegrimeve, ka deklaruar zv.kryeministri për Çështje evropiane, Bujar Osmani për ‘Wiener Zeitung’ të Austrisë, deklaratë e dhënë gjatë pjesëmarrjes në Konferencën për rajone dhe qytete evropiane të Institutit të Rajoneve të Evropës në Salzburg, përcjell Fol.

Osmani pohon se kishte humbur besimi në institucionet, prestigji i Maqedonisë jashtë vendit ishte dëmtuar.

”U larguam nga rruga jonë drejt BE-së dhe NATO-s. Që këtu, për Qeverinë e re, më e rëndësishme, para se gjithash, është të sigurohet marrja e papengueshme e pushtetit. Tani, prioriteti më i madh është që, vendi përsëri të kthehet në rrugën drejt integrimit në BE”, ka theksuar Osmani.

Osmani, në lidhje me kontestin me Greqinë, ka thënë se Greqia po jep sinjale pozitive dhe se nga ana e diplomacisë greke ekziston vullnet që të gjendet një zgjidhje e përbashkët. /Fol/