Dy motrat, Meleku dhe Melikja janë nxënëse të shkollës fillore “Naim Frashëri” të fshatit Moranë të rajonit të Shkupit. Nga 11 marsi i këtij viti, dita kur shkollat u mbyllën për shkak të pandemisë, nuk kanë ndjekur asnjë orë të mësimit online. Familja e tyre përballet me gjendje të vështirë ekonomike dhe nuk kishte mundësi t’u siguronte telefon dhe internet për zhvillimin e mësimit nga distanca.

“Jam mërzit, nuk kam mund se nuk kam pas internet të mësojmë online, kam mbet. Gjysëmvjetorin e parë 5.00 kam qenë, tash nuk e di. Me ka munguar shumë mësimi se jam nxënëse e shkëlqyeshme”.

Në pritje të përfundimit të vitit shkollor, dy motrat bashkë përsërisin mësimet e mbetura.

“E kam pas të thyer telefonin, nuk është përdor edhe e kam lënë.

A i ke shfletuar librat, të mësosh ndonjë vjershë?

Po i kam marrë ndonjëherë, kam mësuar vjersha, pyetjet që i kemi pas. Matematika më pëlqen më shumë edhe dua të mësoj vazhdimisht”

Babai i tyre shprehet i shqetësuar për fatin e vajzave të tij dhe vlerësimin që do tu bëhet këtë vit.

“S’kemi pas të ardhura. Duhet me pas mundësi të mësojnë fëmijët. As telefon as asgjë hiç, as internet nuk kemi. Qanin, kishin dëshirë të mësojnë ama nuk kanë pas mundësi. Ju, si rast social, kartën e internetit a e keni marrë? Dy ditën ka që e kam marrë, para dy ditëve. Kur do të mësoje. Viti shkollor përfundon, çka të duhet më, kaloj më”.

Fatin e dy motrave Sinani e kanë edhe shumë nxënës të tjerë të arsimit fillor, të cilët për shkak të kushteve të vështira kanë mbetur pa mësim nga distanca. Kartelat për internet për familjet sociale nga Qeveria u premtuan nga data 7 prill mirëpo procesi i shpërndarjes u realizua shumë ngadalë.