Presidenti amerikan, Joe Biden, bën paralajmërimin më të fortë deri më tani se Rusia po përgatitet të përdorë armë kimike dhe biologjike në Ukrainë. Ai tha se rezistenca ukrainase e ka vënë me shpatulla pas murit Vladimir Putin, dhe se ekzistonte rreziku që ai t’i drejtohej shpejt taktikave më mizore.

Gjatë një tryeze biznesi në Uashington, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se beson që Moska po përgatitet të fabrikojë operacione të rreme për të justifikuar përdorimin e armëve të ndaluara.

“Putin është me shpatulla pas murit. Ai nuk e kishte parashikuar unitetin tonë dhe rezistencën ukrainase dhe kjo po e shtyn drejt taktikave gjithmonë e më të egra. Ka sugjerime se Putin ka armë kimike dhe biologjike në Ukrainë dhe po konsideron t’i përdorë të dyja”, tha Biden.

Moska ka pranuar përdorimin e armëve hipersonike, kundër shënjestrave ushtarake, ndërsa pamjet e shfaqura së fundmi vërtetojnë edhe pretendimet se raketa termobarike, apo bomba vakuum janë lëshuar në Ukrainë.

Videoja e milicive në republikën e vetëshpallur të Donetsk tregon raketat teksa lëshohen nga raketahedhëset e shumëfishta të prodhuar në Rusi.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Kiev, forcat e Putinit kanë rezerva municionesh dhe ushqimesh edhe për tri ditë. Një faqe pro-Kremlinit raportoi të hënën se gati 10 mijë trupa ruse ishin vrarë në luftën në Ukrainë, por shifrat u fshinë shpejt. Më vonë, tabloidi publikoi një deklaratë, ku tha se faqja ishte hakeruar./A2CNN