Paralajmërimi turk për Europën: Së shpejti lufta fetare

Reagimi i ministrit të Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu ndaj fitores se kryeministrit holandez Mark Rutte, ka ngjallur polemika të mëdha.

Kryediplomati turk deklaroi se mes Ruttes dhe kandidatit humbës të ekstremit të djathtë, Geert Wilders, të cilin ai e quan “fashist“, nuk ka ndonjë ndryshim të madh ndërsa shtoi se Europa mund të bëhet shumë shpejt pre e luftërave fetare.

“Në ç’drejtim po shkoni, ku po e tërhiqni Europën? Ju po e çoni drejt kolapsit, drejt buzës së greminës. Së shpejti në Evropë do të nisin luftërat fetare”, u shpreh Mevlut Cavusoglu.

Mosmarrëveshjet me Ankaranë, pasojë e ndalimit të tubimeve elektorale të dy ministrave turq në Hollandë, u kthyen në kapital politik për Rutten. Partia e tij popullore për liri dhe demokraci siguroi 33 vende në Parlament, duke mposhtur partine për liri të Wildersit, e duke i dhënë një frymëmarrje të re kontinenti të vjetër të përballur me një dallgë populizmi në rritje.

Të enjten, Rexhep Tajip Erdogan deklaroi se Rutte fitoi zgjedhjet, por humbi miqësinë e Turqisë. Presidenti turk dënoi ashpër dhe vendimin e Gjykatës Europiane të të drejtave të Njeriut që lejon kompanitë t`ua ndalojnë punonjësve të tyre mbajtjen e shamisë së kokës.

“Turp t’i vije BE-së, me gjithë parimet, vlerat dhe drejtësinë e saj. Ata kanë nisur një konflikt mes kryqit dhe gjysmëhënës së Islamit, se nuk ka shpjegim tjetër”, ishte komenti i Erdoganit.