Ndërmarrja publike Parku Nacional “Mali Sharr” ka dalë me një apel drejtuar qytetarëve dhe vizitorëve me rastin e 1 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Punës, duke i ftuar të shijojnë bukuritë natyrore, por njëkohësisht të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi gjatë qëndrimit në park, përcjell tetova1
Nga ky institucion theksojnë rëndësinë e ruajtjes së pastërtisë dhe sigurisë në natyrë, duke paralajmëruar se edhe një pakujdesi e vogël mund të shkaktojë pasoja të mëdha për mjedisin.
Njoftimi i plotë:
“APEL NGA PK MALI SHARR
Të dashur vizitorë,
Ju urojmë 1 Majin- Ditën ndërkombëtare të punës.
Me rastin e kësaj feste, ju ftojmë të shijoni bukuritë e parkut, por njëkohësisht ju bëjmë thirrje për kujdes dhe përgjegjësi maksimale gjatë qëndrimit në natyrë.
Ju lutemi:
• Mos hidhni mbeturina – ruani pastërtinë e natyrës
• Mos ndizni zjarre në vende të palejuara
• Mos lini zjarrin pa mbikëqyrje në asnjë moment
• Pas përdorimit, sigurohuni që zjarri është fikur plotësisht
• Respektoni florën dhe faunën e parkut
Një pakujdesi e vogël mund të shkaktojë pasoja të mëdha për natyrën që të gjithë e duam.
Le ta mbrojmë së bashku parkun tonë!”, përfundojnë nga Parku Nacional “Mali Sharr”./tetova1.mk

