Në tetor të vitit të kaluar, kompania ajrore Aegean airlines në konferencë për shtyp njoftoi se gjatë vitit planifikohet vendosja e linjave të reja ajrore drejt 11 qyteteve, ndër të cilat edhe Shkupi.

Në këtë konferencë për shtyp, nënkryetari i Aegean airlines ka deklaruar se për linjën ajrore Shkup – Athinë dhe anasjelltas, kanë kërkuar udhëzime nga Ministria për Punë të Jashtme, sepse duhet të kenë kujdes të veçantë për këtë çështje për shkak të “karakteristikave të veçanta të marrëdhënieve në lidhje me emrin e shtetit”.

Pengesa e vetme për hapjen e linjës ajrore Shkup-Athinë dhe anasjelltas ishte emri i aeroportit të Shkupit.

Pas deklaratës së djeshme të kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev se do të ketë ndryshime të emrit si për autostradën ashtu edhe për aeroportin e Shkupit, hapet pyetja nëse do të rifillojë linja ajrore mes kryeqyteteve të dy shteteve fqinje, pas një ndëprerje që ka zgjatur 15 vite.

Ministri alternativ për punë të jashtme të Greqisë, Giorgios Katrougalos, në lidhje me pyetjen konkrete tha se masat për ndërtimin e besimit të ndërsjellë për të cilin tashmë janë mbajtur gjashtë mbledhje dypalëshe, diskutohen shumë çështje ndër të cilat edhe transporti ajror dhe hekurudhor.