Presidenti amerikan, Joe Biden, ka rifilluar traditën e të folurit në darkën vjetore të korrespodentëve të Shtëpisë së Bardhë, pas një pauze presidenciale gjashtëvjeçare.

Ai është lideri i parë që flet në këtë ngjarje, ku presidenti përballet me batuta miqësore para një turme gazetaresh të cilët ndjekin ngjarjet e Shtëpisë së Bardhë.

Kjo ngjarje ishte anuluar edhe për shkak të pandemisë, por edhe ishte bojkotuar nga Donald Trump kur ishte në detyrë.

Komediani dhe drejtuesi i “The Daily Show” Trevor Noah, kryesoi ngjarjen.

Personat e famshëm iu bashkuan gazetarëve të njohur dhe zyrtarëve të lartë amerikanë për këtë ngjarje, një traditë e shtypit amerikan që daton nga viti 1921.
Kim Kardashian, Pete Davidson, Drew Barrymore dhe Chris Tucker ishin ndër të ftuarit e famshëm.

Biden përmendi faktin se ai është presidenti i parë që merr pjesë në këtë ngjarje që nga viti 2016 duke e thumbuar Donald Trumpin.

“Kjo është hera e parë që një president merr pjesë në këtë darkë në gjashtë vjet. Është e kuptueshme, ne patëm një murtajë të tmerrshme të ndjekur nga dy vjet Covid”, tha ai.

Kur u ngjit në skenë më vonë, Noah shtoi: “Është në të vërtetë bukur të kesh edhe një herë një president që nuk ka frikë të vijë në darkën e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë dhe të dëgjojë shaka për veten e tij”.