NATO-ja “i mbijetoi” takimit të liderëve, i cili për shkak të “përplasjeve” rrezikonte të sillte fundin e kësaj aleance ushtarako-politike, për çka edhe ishte shmangur përdorimi i termit “Samiti i Londrës”. “Të mirë, konstruktiv dhe produktiv”, kështu e vlerësoi takimin vetë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Stoltenberg tha se e rëndësishme është që të gjithë liderët janë të unifikuar rreth parimit “Të gjithë për një, një për të gjithë.”

Ne jo vetëm që po shikojmë mbrapa në histori, por po shikojmë përpara drejt së ardhmes dhe vazhdojmë të adaptohemi. E mbaruam takimin me duartrokitje, duke demonstruar kështu unitetin e kësaj aleance. Përskaj dallimeve jemi të unifikuar rreth detyrave thelbësore për të mbrojtur njëri-tjetrin”-pohoi Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Stoltenberg shtoi se në këtë frymë liderët sollën vendime shumë të rëndësishme: angazhim të 30 bataljoneve, 30 skuadrove ajrore dhe 30 anijeve luftarake; e deklaruan hapësirën si domenin e 5-të të operacioneve të NATO-s; miratuan plane aksionare për luftën kundër terrorizmit, respektivisht ISIS-it dhe misionet në Irak dhe Afganistan; morën vendim për rritjen e buxhetit, për të forcuar dialogun me Rusinë dhe për ta përfshirë Kinën në kontrollin e armëve. Liderët ishin unik edhe sa i përket anëtarësimit të RMV-së.

Maqedonia e Veriut dhe kryeministri, Zoran Zaev u mirëprit ngrohtë në takimin e sotëm. Të gjithë po presim ta kemi RMV-në anëtare të 30-të. Kjo demonstron se dera e NATO-s është e hapur. Besojmë fuqishëm se anëtarësimi i RMV-së do të jetë e mirë për të, por edhe për rajonin. Ndërsa nuk më takon të komentoj zgjerimin e BE-së”-tha Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Gjithsesi, ky takim i lartë do të mbahet mend për “përplasjet” e shumta, qëndrimin e presidentit francez, Makron se NATO-s “i ka vdekur truri”, e cila sipas homologut të tij amerikan, Trump ishte “koment i ndyrë” dhe që sipas Presidentit turk tregon se në fakt Makronit i kishte vdekur truri. Trump insistonte se NATO-ja është më e fuqishme se kurrë më parë dhe se do të detyrohen të gjitha shtetet të paguajnë detyrimet, ndërsa Makron i paluhatur nga qëndrimi se duhet patur vizion të qartë ku përfundojnë paratë.

NATO po ndryshon, po bëhet më e madhe dhe më e fuqishme se më parë, sepse njerëzit tani po i përmbushin detyrat e tyre. Me ato vende që nuk po i përmbushin detyrimet mbase unë do të merrem vesh në mënyra të ndryshme që të paguajnë. Nuk i duam njerëzit delikuentë. Ka shumë sfera shumë të mira ku mund të përfshihemi, përfshirë edhe Francën në këtë rast”-pohoi Donald Trump, President i SHBA-ve.

Më vjen keq ta them, por në tavolinë nuk kemi definicion të njëjtë për terrorizmin. Kur e shikoj Turqinë, tani po luftojnë kundër atyre të cilët luftuan me ne, krah për krahu kundër ISIS-it. Kjo është çështje strategjike. Nëse diskutojmë vetëm se çfarë paguajmë dhe nuk kemi diskutim të qartë për një situatë të atillë, nuk jemi serioz para ushtarëve tanë, para njerëzve tanë”-theksoi Emanuel Makron, President i Francës.

Në fakt dallimet mes Turqisë dhe Francës nuk u tejkaluan as pas takimit të sotëm. Kërkesa e Turqisë që NATO ta konsiderojë terrorist grupin e armatosur kurd nuk u miratua dhe rrjedhimisht mbetet të shihet nëse Turqia vërtetë nuk do të mbështesë NATO-n në mbrojtjen e vendeve të Baltikut dhe Polonisë kundër sulmeve të mundshme ruse. NATO po ashtu vendosi të mos e sanksiononte Turqinë për blerjen e sistemeve raketore ruse S-400, por siguroi se të njëjtat asnjëherë nuk do të përdoren nga NATO-ja.