Banorët e Dibrës kërkojnë nga institucionet që të mos kenë qasje selektive në aplikimin e shtetit ligjor, por gjithkund të funksionojë njësoj.
Ata ankohen se inspektoratet kompetente po mbyllin sytë para ndërtimeve të egra në qytetin e tyre, për shkak të përkatësisë partiake të pronarëve.
“Ashtu siç u rrenua objekti te Mavrovka në Shkup, ashtu duhet të rrënohen edhe ndërtimet e egra në Dibër. Nuk duhet të mbyllen sytë pse një pronar qenk me BDI-në, apo ku e di me kë. Ligji duhet të vlejë për gjithë njësoj”, thekson Ardet Vojnika për AbcNjuz.
Bashkëqytetari i tij, Arbëror Velica, thotë se ndërtimet e egra po shkaktojnë edhe kaos urbanistik e infrastrukturor në qytet.
“Ndërtojnë ata që nuk kanë leje, kurse ata që kanë leje nuj lejohen të ndërtojnë, vetëm pse nuk janë me ndonjë parti në pushtet. Kjo nuk është në rregull. Qyteti ynë edhe ashtu ka shumë probleme, nuk duhet toleruar ndërtimet e egra”, thekson Velica.
Burime nga Ministria për transport dhe lidhje konfirmojnë se shumë qytetarë dibranë ankohen për ndërtimet e egra, por kërkesat e tyre deri tani nuk janë shqyrtuar sa duhet. Nga kjo ministri premtojnë se tani e tutje gjërat do të ndryshojnë dhe se nuk do ketë tolerancë ndaj askujt.