Gjykatat në Maqedoni kanë dalur si më të rrezikuarat nga sulmet kibernetike, dhe për të rritur sigurinë kibernetike në të ardhmen, ato do të furnizohen me pajisje shtesë elektronike, transmeton Portalb.mk. Do të punohet edhe në ngritjen e kapaciteteve kibernetike të të punësuarve në gjykata.

Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski gjatë njoftimit të strategjisë për siguri kibernetike, ka bërë të ditur, se për dallim nga institucionet tjera në Maqedoni, gjykatat kanë dalë si më të kërcënuarat nga sulmet kibernetike.

“Në analizën e bërë për gjendjen aktuale të sigurisë kibernetike, si më të rrezikuarit janë paraqitur gjykatat. Paralelisht me strategjinë nacionale për siguri kibernetike, parashihen masa konkretisht vetëm për gjykatat. Në fazë përfundimtare është furnizimi i pajisjeve shtesë për shërbimet teknologjike në gjykata. Në rrjedhë është projekt i cili gjatë këtij viti do të realizohet në gjykata që të rritjet rezistenca e tyre nga sulmet kibernetike”, tha Mançevski.

Ministri Mançevski njoftoi se do të punohet edhe në ngritjen e kapaciteteve kibernetike të të punësuarve në gjykata.

“Ajo çfarë është mangësi në gjykata, por edhe në institucionet tjera është resurset e vogla njerëzore që posedojnë njohuri dhe aftësi informatike. Por punohet edhe në këtë drejtim, dhe në fund të viti do të kemi rezultate konkrete edhe në këtë drejtim”, tha Mançevski.

Përndryshe, gjykatat në Maqedoni kanë ditur të jenë në cak të sulmeve kibernetike. Rasti ishte me Gjykatën Themelore të Shkupit që u sulmua nga hakerat kosovarë si revoltë e vendimit gjyqësor për rastin “Lagjja e Trimave”.