Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) përmes një konference për shtyp, i ka akuzuar autoritetet lokale në Tetovë dhe Gostivar, për gjendjen e rëndë të komunikacionit rrugor dhe ndotjen e ajrit.

Frymzim Dauti nga PDSH, sot tha se udhëheqësit e komunave të Tetovës dhe Gostivarit, nuk kanë arritur ta zgjedhin problematikën e komunikacionit, ndërsa sipas tij, ky problem është përkeqësuar edhe më shumë.

“Si pasojë e mos-investimeve në riparimin dhe ndërtimin e rrugëve të reja: shpejtësia e lëvizjes së veturave në qytete është ngadalësuar ndjeshëm, nuk ka parkingje të mjaftueshme, numri i aksidenteve me vetura shënon rritje, përderisa këmbësorët kanë ende vështirësi që të qarkullojnë lirshëm si pasojë nga kaosi i krijuar në komunikacionin rrugor. Situata përkeqësohet edhe më shumë kur gurbetçarët kthehen në vendlindje për t’u relaksuar dhe që të njëjtit dëshpërohen nga mosfunksionimi elementar i rregullave të komunikacionit në qytet”.

“Me këtë rast i përkujtojmë udhëheqësit e të dy komunave në fjalë se ata dështuan edhe në organizimin e transportit publik komunal dhe si pasojë kjo ndikon në ndotjen e mëtejshme të ajrit në pjesën qendrore të qyteteve. Përderisa kryetarja e Komunës së Tetovës kalkulon se a do të bëjnë koalicion pas-zgjedhor me OBRM-PDUKM-në apo LSDM-në, tetovarët vazhdojnë që të thithin ajrin më të ndotur në Evropë. Njëjtë vepron edhe kryetari i Komunës së Gostivarit, i cili përderisa kalkulon se a do të bëjë koalicion parazgjedhor dypalësh apo trepalësh, subvencionet e qeverisë për invertera dhe paleta u ndanë në disa qytete dhe se Gostivari nuk mori asnjë qindarkë. Kjo situatë dëshmon se për kryetarin e Gostivarit matematikat për koalicione kanë më shumë rëndësi se sa situata emergjente për investime në pastrimin e ajrit të Gostivarit”, tha Frymzim Dauti.

Ai shtoi se me ardhjen e PDSH-së në pushtet, nga buxheti i shtetit do të sigurohen mjete shtesë financiare për komunat me shumicë shqiptare.